Ekonomi

Sejko: Informimi dhe edukimi financiar i publikut po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për bankat qendrore

Në këtë kuadër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, për të diskutuar në panelin me temë “Si t’i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare”, së bashku me Ministrin e Financave, Ervin Mete dhe Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi.

12 Prill 2024, 14:34 Nga N.F
Sejko: Informimi dhe edukimi financiar i publikut po bëhet gjithnjë e
Gent Sejko

TIRANË- Çdo vit, nën koordinimin e OECD-INFE, zhvillohet Java Globale e Parasë, e cila është një festë mbarë botërore e parasë që synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.

Në këtë kuadër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, për të diskutuar në panelin me temë “Si t’i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare”, së bashku me Ministrin e Financave, Ervin Mete dhe Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi.

Gjatë panelit, Guvernatori Sejko u shpreh se të gjitha bankat qendrore moderne i kushtojnë vëmendje dhe burime të veçanta edukimit financiar dhe ekonomik të publikut. Kjo dukuri është intensifikuar dhe ka marrë një formë të plotë në mënyrë të veçantë në periudhën e paskrizës financiare, kryesisht për arsye se autoritetet financiare kuptuan rëndësinë e operimit në një ambient me publik të mirinformuar.

Guvernatori theksoi se një publik i pajisur me kulturë financiare ka më shumë mundësi të kuptojë botën financiare plot risi që e rrethon, si dhe funksionin dhe vendimet komplekse të bankës qendrore. Me këto principe në fokus, prej afro 20 vjetësh, Banka e Shqipërisë është angazhuar në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri.

Guvernatori Sejko u shpreh se në janar 2024, u miratua Strategjia e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare – një dokument i parë institucional që promovon edukimin financiar, në nxitje të përfshirjes, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare. Misioni i tij është të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare.

Një tjetër hap mjaft i rëndësishëm është ligji 100/2023 “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili vjen si angazhim i Bankës së Shqipërisë në nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë dhe modernizimit të sistemit të pagesave, dhe synon rritjen e numrit të llogarive bankare të pagesave, nëpërmjet afrimit drejt sistemit bankar të shtresave të konsumatorëve që nuk kanë aktualisht llogari bankare, si dhe nxitjen e përdorimit më aktiv të llogarive ekzistuese të pagesave për atë grup konsumatorësh që megjithëse e kanë një llogari, e përdorin minimalisht atë.

Në vijim Guvernatori vlerësoi bashkëpunimin mjaft të mirë me partnerët si Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Banka Botërore etj. për zhvillimin e vazhdueshëm të programeve të përbashkëta në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e kulturës financiare.

Së fundmi, Guvernatori theksoi se aktivitetet dhe botimet e veçanta edukative të përgatitura nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, kanë tre objektiva kryesorë: prezantimin e rolit dhe funksioneve të bankës qendrore tek publiku; kultivimin e përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare; si dhe nxitjen e përfshirjes financiare.

Marrë nga Monitor

gent sejko edukim financiar banka qendrore

Sondazh

Poll