Ekonomi

Banka e Shqipërisë bleu një rekord prej 249 milionë euro në ankandet valutore vitin e kaluar

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga banka qendrore, sasia e valutës së blerë është rritur me 75% krahasuar me një vit më parë.

2 Prill 2024, 07:26 Nga M.B
Banka e Shqipërisë bleu një rekord prej 249 milionë euro
Foto ilustruese

TIRANA- Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 249 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga banka qendrore, sasia e valutës së blerë është rritur me 75% krahasuar me një vit më parë. Vetëm gjatë tremujorit të katërt, në këto ankande u blenë gjithsej 66 milionë euro, shumë kjo e përafërt me tremujorin e tretë të vitit.

Ndërkohë, përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka kryer dy ndërhyrje në treg nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, me qëllim për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë bleu përkatësisht pesë milionë euro në datë 9 qershor dhe 12.1 milionë euro më datë 20 korrik, ditë kur euro pati prekur nivelin minimal historik në kursin e këmbimit me Lekun.

Duke përfshirë edhe blerjet që patën qëllim të frenonin rënien e mëtejshme të kursit, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 269.8 milionë euro gjatë vitit 2023. Sipas kalendarit të ankandeve, për vitin 2024 shuma e blerjeve në tregun valutor pritet të rritej më tej, në intervalin midis 250 dhe 330 milionë eurove. Për vitin 2024 Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 20 ankande të blerjes së valutës, mes muajve shkurt dhe dhjetor.

Gjysma e ankandeve do të jenë në formën spot (me blerje ditën e ankandit), ndërsa gjysma do të jenë të llojit forward njëmujor (me blerje pas një muaji, sipas kursit të fiksuar në datën e ankandit). Banka e Shqipërisë në tre Vitet e fundit ka aplikuar ankandet e llojit forward, si një përpjekje për të nxitur përdorimin e këtyre marrëveshjeve edhe në transaksionet ndërbankare dhe mes subjekteve private. Rritja e blerjeve të valutës nga Banka e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024 lidhet edhe me forcimin e paprecedent të Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe me nevojën për ta frenuar disi këtë forcim. Gjatë vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek preku minimumin historik prej 100.49 lekësh, ndërsa rënia vjetore arriti në 14%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i Lekut lidhet sidomos me përmirësimin e ndjeshëm të Bilancit të Pagesave. Deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike për vitin e kaluar, në vlerën e 191 milionë eurove, me një rënie prej 78% krahasuar me vitin 2022. Shërbimet dhe në veçanti turizmi dhanë efektin kryesor në ngushtimin historik të deficitit të llogarisë korrente. Llogaria e jashtme në shërbime vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e 3.4 miliardë eurove, në rritje me 43% krahasuar me një vit më parë.

Më shumë se gjysma e suficitit në shërbime erdhi nga turizmi. Statistikat treguan se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 1.84 miliardë eurove, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2022. Për më tepër, vlera rekord e investimeve të huaja direkte, prej gati 1.5 miliardë eurosh, e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Kjo tregon se flukset valutore hyrëse në ekonomi kanë qenë më të mëdha se ato dalëse./ Monitor

banka e shqiperise

Sondazh

Poll

Ekonomi 31 Mars 2024, 07:43 h.k

Bursat dhe Inteligjenca Artificiale

Foto ilustruese TIRANË-Bursat po lulëzojnë. Por kohët e mira nuk kanë gjasa të zgjasin. Megjithëse Inteligjenca Artific...

Ekonomi 31 Mars 2024, 07:41 h.k

A do të shtrenjtohet buka?!

Foto ilustruese TIRANË-Çmimi i energjisë për furrat e bukës, si do bëhet verifikimi dhe ndarja në tre kategori. Furra...

Ekonomi 31 Mars 2024, 07:34 Blerina Hoxha

Alarmi i rënies së lindjeve

Foto ilustruese TIRANË-Në vitin 2023, në Shqipëri lindën vetëm 22,210 bebe, numri më i ulët që nga viti 1934,...

Ekonomi 30 Mars 2024, 07:13 E. D

Pasiguria e kompanive të minierave

fotot ilustruese TIRANË- Pse kompanitë e minierave janë kaq dorështrënguara? Tranzicioni i energjisë kërkon sasi të...