Ekonomi

Normat e interesit të depozitave, rritje modeste për 2023

Statistikat e bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë ishte 1.64%, nga 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

19 Mars 2024, 08:02 Nga M.B
Normat e interesit të depozitave, rritje modeste për 2023
Foto ilustruese

TIRANA- Normat e interesit të depozitave u rritën në përmasa të vogla për vitin e kaluar. Statistikat e bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë ishte 1.64%, nga 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe rënia e yield-eve uli stimujt për rritjen e interesave të depozitave bankare për pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Norma bazë e interesit në Shqipëri është frenuar në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtit në Europë.

Normat e interesit të depozitave të reja arritën shënuan një rritje veçanërisht pas muajit gusht dhe arritën nivelin më të lartë vjetor në muajin nëntor, në 1.78%. Kjo mund të shpjegohet me stanjacionin e depozitave në monedhën vendase dhe me ngushtimin e tepricave të likuiditetit të sektorit bankar gjatë pjesës më të madhe të vitit 2023. Një rol të rëndësishëm në këtë shtrëngim luajti sidomos politika fiskale shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare. Vetëm pas muajit nëntor, me rritjen e shpenzimeve publike, depozitat bankare iu rikthyen rritjes.

Megjithatë, edhe rritja e interesave të kredive në Lekë vitin e kaluar ishte e kufizuar. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.85%, vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022. Këto shifra dëshmojnë se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar ruajtjen e çmimeve të favorshme për kreditimin e ekonomisë, por nga ana tjetër nuk ka dhënë shumë stimuj për të rritur kursimet dhe përfitimet prej tyre.

Një ritëm i ngjashëm i rritjes së normave të interesit të depozitave vitin e kaluar është regjistruar edhe për monedhën Euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit në për depozitat e reja në Euro në muajin dhjetor ishte 0.99%, nga 0.71% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Rritja e interesit të depozitave në Euro nuk ka e ka ndjekur shumë ritmin e rritjes së normave të interesit të depozitave në tregjet europiane. Banka Qendrore Europiane (ECB) vitin e kaluar ndoqi një politikë monetare agresive dhe e rriti normën bazë deri në nivelin më të lartë historik prej 4.5%.

Por, në tregun shqiptar përcjellja e lëvizjeve të politikës monetare të ECB-së ka qenë mjaft e kufizuar. Kjo mund të shpjegohet me ofertën e lartë të fondeve në Euro dhe me mungesën e alternativave të investimit financiar në këtë monedhë. Depozitat në monedhën europiane i rritën më shumë se 6% vitin e kaluar. Nga ana tjetër, normat e ulëta të interesit në Euro lidhen edhe me politikat rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore nuk u paguan bankave remunerim për rezervën e detyruar në këtë monedhë, përveçse kërkon një nivel më të lartë të kësaj rezerve, krahasuar me Lekun. Kjo rrit kostot e ndërmjetësimit në Euro për sektorin bankar dhe ndikon direkt në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për depozitat. / Monitor

normat e interesit të depozitave

Sondazh

Poll