Ekonomi

Importet e sheqerit u rritën 22% për muajin janar 2024 për të garantuar stokun e grosistëve, nuk ndryshon konsumi

Sipas tyre tkurrja erdhi nga emigracioni që u reflektua me rënie shitjesh te dyqanet retail, pastiçeritë dhe reduktimi drastik i prodhimit në industrinë e reçelrave nga mungesa e frutave.

6 Mars 2024, 12:25 Nga M.B
Importet e sheqerit u rritën 22% për muajin janar 2024 për
Foto ilustruese

TIRANA- Vitin e kaluar importuesit më të mëdhenj të importit të sheqerit pohuan se konsumi për këtë produkt shënoi rënie deri 30% krahasuar me 2022. Sipas tyre tkurrja erdhi nga emigracioni që u reflektua me rënie shitjesh te dyqanet retail, pastiçeritë dhe reduktimi drastik i prodhimit në industrinë e reçelrave nga mungesa e frutave. Tendenca është krejt e kundërt këtë vit. Për muajin janar 2024 importet për grupin “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij” janë rritur 22% krahasuar me muajin janar të vitit paraardhës sipas të dhënave të INSTAT.

Grosistët e sheqerit pohojnë se shitjet për muajt janar-shkurt 2024 janë të njëjta me ato të periudhës së vitit të kaluar. Kjo është ndikuar sipas tyre nga rënia e çmimit të produktit të sheqerit në bursat e huaja dhe ofertave të reja të hedhura në treg për tregtarët e shumicës. Importuesit gjithashtu u shprehën se për periudhën janar-shkurt kanë rritur sasinë e importit me qëllim garantimin e stokut për 6 mujorin e parë të vitit.

Industria e prodhimit të reçelrave është prapavija e prodhimtarisë së pemëve frutorë. Prodhuesit e reçelrave në Berat thanë se sezonin e prodhimit të vitit të kaluar (nga muaji qershor deri në gusht) prodhuan më pak sasi reçeli dhe komposto krahasuar me 2022. Përfaqësues nga kompania e reçelrave “Sindey” thanë se vjet rënia e prodhimit të pemëve dhe mungesa e fuqisë punëtore për të mbledhur pemët u reflektua te ulja e sasisë së prodhimit krahasuar me vitin e mëparshëm.

Nga ana tjetër çmimet e shitjes së sheqerit kanë pasur tendencë rënëse. Përgjatë vitit 2023 sipas importuesve çmimi i shitjes së sheqerit me shumice ra 16% krahasuar me vitin 2022. Pas agresionit të Rusisë në Ukrainë më shkurt 2022 çmimet e shitjes së sheqerit u rritën 10% krahasuar me vitin paraardhës. Në këtë periudhë pati rritje të lartë të çmimeve për shumë produkte të shportës ushqimore. Në muajin maj sakaq të vitit të kaluar në tregjet e huaja, siç u pohua nga grosistët, çmimet e shitjes për produktin e sheqerit u rritën 5% krahasuar me muajin paraardhës e ndikuar nga shtimi i kërkesës së vendeve të huaja. Por importuesit nuk reflektuan rritjen e çmimit në tregun shqiptar për shkak të sasisë së lartë të stokut të mallit të pashitur që dispononin.

Magazinimet e sheqerit u shtuan veçanërisht në periudhën e rritjes së fortë të çmimit të produktit në tregjet e huaja për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ndryshimi i çmimeve detyroi importuesit të magazinonin sasi të pashitur të produktit deri në 4 muaj. Ne dyqanet e pakicës ne vend aktualisht 1 kg sheqer tregtohet me çmim 120 deri 150 lekë. Sipas tregtarëve të vegjël çmimet e sheqerit kanë mbetur pothuajse të pandryshuara krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa theksojnë se ecuria e shitjes së tij është e ngadaltë./ Monitor

sheqer import

Sondazh

Poll