Bota

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot bëhet dorëzimi i detyrës

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si kryeministër i vendit, nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare.

29 Janar 2024, 09:33 Nga r.ll
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sot
foto ilustruese

SHKUP- Deri në formimin e qeverisë së re në fund të qershorit, vendi do të udhëhiqet nga qeveria teknike e kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi. Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. Opozita maqedonase ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk morën pjesë fare në seancë.

Ndërkohë ditën e sotme, është planifikuar të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës mes kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Gjithashtu pritet që të ketë pranim-dorëzim funksionesh në të gjitha ministritë.

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si kryeministër i vendit, nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare.

“Dua t’ju siguroj se në asnjë moment nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë të jesh një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe një institucion me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi. Ai përsëriti se e pranon mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë dhe me shpresë se ministrat e propozuar do t’i përmbushin pritjet. 

Talat Xhaferi është shqiptari i parë që mban postin e kryeministrit në Maqedonin e Veriut, duke e bërë ditën e djeshme ditë historike për të gjithë shqiptarët.

 

talat xhaferi maqedonia e veriut

Sondazh

Poll