Sport

Befason Laçi në kryeqytet, përmbys "in extremis" Partizanin në “Arenën e Demave”

Pas kësaj humbjeje befasuese, Partizani mbetet në vendin e dytë me 35 pikë, tetë më pak se kryesuesit e Egnatias. Nga ana tjetër, Laçi renditet në vendin e pestë me 25 pikë

20 Janar 2024, 20:40 Nga DOSJA
Befason Laçi në kryeqytet, përmbys "in extremis"

TIRANE - Befason skuadra kurbinase në javën e 20-të. Laçi mposht Partizanin në kryeqytet, teksa të kuqtë edhe pse e nisën mirë ndeshjen, por në fund u përmbysën me shifrat 2-1.

Ishte skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi që kaloi e para në avantazh, falë një goli të Mensah në minutën e 13-të. Sulmuesi fitoi duelin ajror në zonën kundërshtari dhe mposhti portierin Dajsinani.

Në vijimin e pjesës së parë, Melo pati dy mundësi të mira për Laçin, por pa mundur t’i shfrytëzonte. Kështu, pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0 në favor të vendasve, ndërsa në të dytën, kurbinasit ishin më të orientuar drejt sulmit në kërkim të golit të barazimit.

Ai erdhi në minutën e 83-të falë një goditje të fortë nga Sobovale brenda zone dhe që nuk i la mundësi reagimi portierit Qirko. Por, nuk mbaroi me kaq, pasi në minutat shtesë, ishte Tresa që realizoi golin e fitores 2-1 për kurbinasit e Mirel Josës, që marrin një trepikësh, i cili “ngjall” shpresat e bardhezinjve për një vend në “Top 4”.

Pas kësaj humbjeje befasuese, Partizani mbetet në vendin e dytë me 35 pikë, tetë më pak se kryesuesit e Egnatias. Nga ana tjetër, Laçi renditet në vendin e pestë me 25 pikë, pesë pikë larg Tiranës së vendit të katërt.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll