Ekonomi

Raporti i FMN: Ekonomia shqiptare, një nga performuesit më të fortë në rajon

Në hyrje të raportit theksohet se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit.

12 Janar 2024, 16:59 Nga M.B
Raporti i FMN: Ekonomia shqiptare, një nga performuesit më të
Pamje nga selia e FMN në Uashington

SHBA- Fondi Monetar Ndërkombëtar përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe miratoi raportin e stafit të misionit, pa nevojën e zhvillimit të një mbledhjeje, një praktikë e përshpejtuar që ndodh në rastet kur Bordi vlerëson se nuk janë të domosdoshme diskutimet.

FMN e ka konsideruar ekonominë shqiptare si një nga performuesit më të fortë në rajon. Në hyrje të raportit theksohet se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar konstaton se “Autoritetet shqiptare e kanë drejtuar me sukses ekonominë përmes goditjeve të njëpasnjëshme, falë politikave të duhura makroekonomike.”

Po ashtu, vërehet se perspektiva e anatarësimit në BE mund të ofrojë një shtysë shtesë për të adresuar sfidat strukturore afatgjata. Ekonomia vazhdon të zgjerohet me ritme të forta, konstaton më tej FMN, e cila parashikon se për vitin 2023, ekonomia shqiptare do të rritet me 3.3%. FMN thekson në raport se “dhjetë muajt e parë të vitit 2023 kanë sjellë një pozicion fiskal shumë më të përmirësuar.”

Eksportet e larta të shërbimeve, imnvestimet e huaja direkte dhe remitancat sollën një përmirësim të pozicionit të llogarisë korente dhe mbiçmim të Lekut, vlerëson në dokument organizata ndërkombëtare. Në parashikimin për perspektivat e rritjes, FMN projekton që “rritja, ndonëse më e moderuar, parashikohet të mbetet e fortë, mbështetur nga kërkesa në shërbime dhe investimet e huaja direkte”.  Sa i përket bilancit të llogarisë korente, FMN vlerëson se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në vitin 2023, ndikuar nga flukset e forta hyrëse të lidhura me turizmin.

ekonomia fondi monetar ndërkombëtar raport

Sondazh

Poll