Bota

Ish ministri i Brendshëm polak dhe zëvendësi i tij arrestohen brenda pallatit presidencial në Varshavë

Mariusz Kaminski dhe Maciej Wasik u dënuan me dy vjet burg muajin e kaluar për shpërdorim të pushtetit, kur drejtonin një zyrë kundër korrupsionit në 2007

10 Janar 2024, 18:37 Nga A.TH
Ish ministri i Brendshëm polak dhe zëvendësi i tij arrestohen
foto nga pallati

POLONI- Policia polake ka arrestuar sot ish-ministrin e brendshëm dhe zëvendësministrin e tij brenda pallatit presidencial në Varshavë. Mariusz Kaminski dhe Maciej Wasik u dënuan me dy vjet burg muajin e kaluar për shpërdorim të pushtetit, kur drejtonin një zyrë kundër korrupsionit në 2007.

"Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit," shkroi në X ministri i ri i Brendshëm Marcin Kierëinski, raportojnë mediat e huaja.

Arrestimet nxjerrin në pah trazirat politike midis partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe koalicionit të ri pro-BE. Dy ish zyrtarët, të cilët u zgjodhën deputetë të PiS në tetor, refuzuan të njihnin vendimin e gjykatës të muajit të kaluar, sepse presidenti Andrzej Duda, një aleat i PiS, i fali ata për akuzat në vitin 2015.

Duda është shprehur se nuk e njeh vendimin e gjykatës pasi këmbënguli se falja e tij është e vlefshme. Dy deputetëve u është hequr mandati parlamentar, por si ata ashtu edhe presidenti Duda këmbëngulin se mbeten deputetë të zgjedhur ligjërisht për shkak të faljes.

Të hënën në mbrëmje, gjykata lëshoi një urdhër për policinë për të ndaluar dy ish zyrtarët e ministrisë së Brendshme. Pavarësisht kësaj, Duda i ftoi të dy në Pallatin Presidencial të Varshavës për të marrë pjesë në një ceremoni ku do betoheshin dy nga ish-kolegët e tyre si këshilltarë presidencialë. Në një komunikim me mediat, Kaminski tha se ata do të jenë të burgosur politikë nëse arrestohen. Më pas ata u kthyen brenda në pallatin presidencial.

Kryeministri Donald Tusk tha në një konferencë shtypi se situata ishte e pabesueshme, ndërsa theksoi se vendimi i Gjykatës duhet të respektohej. "Nuk ka asnjë rregullore për kryeministrin apo ministrin e brendshëm se si duhet të veprojë kur të dënuarit janë në Pallatin Presidencial,” shtoi ai. Pas arrestimeve, disa qindra mbështetës të PiS demonstruan jashtë pallatit në mbështetje të ish zyrtarwve. Ndërsa ish ministri i Brendshëm deklaroi se do të hyjë në grevë urie që në ditën e parë të arrestimit.

mariusz kaminski maciej wasik

Sondazh

Poll