Ekonomi

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit më tej në ndërtim dhe industri, ra në tregti dhe shërbime

Rreziqet e lidhura me inflacionin në nivel global ngelen ende të pranishme. Në Eurozonë, inflacioni u rrit përsëri në 2.9% në muajin dhjetor, pasi kishte zbritur deri në 2.4% për nëntorin.

7 Janar 2024, 07:39 Nga r.ll
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit më tej në
foto ilustruese

TIRANË- Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit në tremujorin e fundit të vitit në sektorët e ndërtimit dhe të industrisë.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, rritja më e madhe erdhi kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit me 5.1 pikë përqindje dhe arriti nivelin 77%.

Rritje e lehtë u shënua edhe në sektorin e industrisë. Ndërkohë, sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve rezultuan me rëniet respektive të shfrytëzimit të kapaciteteve, përkatësisht prej prej -3.8 dhe -1.8 pikë përqindjeje.

Në analizën e fundit për Shqipërinë, Raiffeisen Research vlerësonte se norma e lartë e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonominë shqiptare mund të jetë tregues i presioneve të larta inflacioniste.

Gjithnjë sipas Raiffeisen Research, intervali optimal i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi luhatet midis 73% dhe 75%, që vlerësohet zakonisht si një nivel “natyror” që ndihmon në ruajtjen e inflacionit të qëndrueshëm.

Ndërkohë, të dhënat mbi shfrytëzimin e kapaciteteve në ekonominë shqiptare tregojnë se normat e shfrytëzimit të kapaciteteve në përgjithësi janë përtej këtij diapazoni optimal. Sipas Raiffeisen Research, kjo situatë sugjeron presione të mundshme shtesë inflacioniste me origjinë nga ana e kërkesës.

Rreziqet e lidhura me inflacionin në nivel global ngelen ende të pranishme. Në Eurozonë, inflacioni u rrit përsëri në 2.9% në muajin dhjetor, pasi kishte zbritur deri në 2.4% për nëntorin.

Të dhënat më të fundit për Shqipërinë janë ende ato të nëntorit, kur inflacioni shënonte nivelin 3.9%. Në muajt e fundit, për herë të parë që nga fillimi i krizës inflacioniste Shqipëria ka shfaqur nivele inflacioni më të larta se BE dhe Eurozona.

Megjithëse Banka e Shqipërisë ka një objektiv inflacioni më të lartë (3%, kundrejt 2% të Bankës Qendrore Europiane), inflacioni disi më i lartë mund të shpjegohet me një politikë monetare më pak shtrënguese që u ndoq gjatë vitit 2023. Ndërkohë që ECB e ka çuar normën bazë në nivelin 4.5%, Banka e Shqipërisë e mbylli vitin 2023 në nivelin 3.25%.

Kjo politikë më relaksuese është argumentuar me forcimin e lekut në kursin e këmbimit, politikën fiskale shtrënguese që ka ndjekur qeveria shqiptare, por edhe faktin që në pikun e vet inflacioni në Shqipëri ishte ndjeshëm më i ulët krahasuar me ekonomitë e tjera të Europës.

Sidoqoftë, normat ende relativisht të ulëta të interesit (niveli neutral vlerësohet në nivelin 4.25%-4.5%) shtrojnë ende pasiguri lidhur uljen e qëndrueshme të inflacionit.

Mbajtja e normave të ulëta për Lekun ka bërë që kredia të vazhdojë të rritet me norma të kënaqshme në monedhën vendase, ndërsa edhe në total rritja ngelet e konsiderueshme, po ta zhveshim nga efekti negativ i kursit të të këmbimit.

Ndërthurrur me normat relativisht të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe me ritmet po të larta të rritjes së pagave (në mesin e këtij viti parashikohet një rritje e re në sektorin publik), kjo bën që rreziqet inflacioniste për ekonominë shqiptare të ngelen ende të pranishme./MONITOR

sektori i ndërtimit dhe industrise

Sondazh

Poll

Ekonomi 6 Janar 2024, 08:17 I.A

Skuterët elektrikë, shokë apo...

Skuterët elektrikë TIRANË- Mëngjeset për Eneida Bicën nisin me marrjen e shokut të saj të ngushtë në krah...