Bota

Ushtria polake: Një objekt i paidentifikuar hyri nga Ukraina në hapësirën tonë ajrore, dyshojmë se ishte raketë ruse

U mobilizuan trupa për identifikimin dhe gjetjen e tij, ndonëse nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë shpërthim apo viktima.

29 Dhjetor 2023, 17:11 Nga r.ll
Ushtria polake: Një objekt i paidentifikuar hyri nga Ukraina në
foto ilustruese

VARSHAVË-  Forcat mbrojtëse të Polonisë thanë se një objekt i panjohur ka hyrë në hapësirën ajrore të vendit mëngjesin e sotëm nga drejtimi i Ukrainës dhe më pas u zhduk nga radarët dhe se të gjitha indikacionet tregonin se ishte një raketë ruse, raporton AP.

Nuk ishte menjëherë e qartë se ku u zhduk objekti nga radarët ose në cilin drejtim kishte shkuar. U mobilizuan trupa për identifikimin dhe gjetjen e tij, ndonëse nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë shpërthim apo viktima, shkruan The Guardian. 

"Gjithçka tregon se një raketë ruse ka hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë. Ai u monitorua nga ne në radarë dhe u largua nga hapësira ajrore. Ne kemi konfirmim për këtë në radarë dhe nga aleatët [në NATO].
Forcat mbrojtëse të Polonisë thanë se objekti depërtoi rreth 40 km (24 milje) në hapësirën e saj ajrore dhe e la atë pas më pak se tre minutash. Forcat e mbrojtjes thanë se radari i tij dhe radari i NATO-s konfirmuan se objekti u largua nga hapësira ajrore polake.", tha shefi i Mbrojtjes i Polonisë, Wieslaw Kukula. 

Kukuła tha se po ndërmerren hapa për të verifikuar ato gjetje, ndërsa nga zyrtarët rusë nuk ka patur asnjë koment lidhur me çështjen. 

Guvernatori i provincës Lublin në Poloninë lindore, Krzysztof Komorski, tha se objekti u shfaq në radarë pranë qytetit Hrubieszów, ku ndodhet një pikë kufitare me Ukrainën. Komorski tha se nuk kishte informacion që të tregonte se ai u ul në provincën Lublin.

Kufiri i Polonisë me Ukrainën është gjithashtu kufiri i Bashkimit Evropian dhe kufiri i NATO-s me Ukrainën. Kryeministri Donald Tusk thirri një takim me ministrin e mbrojtjes, komandantët ushtarakë dhe krerët e organeve të sigurisë kombëtare, pasuar nga një takim i Byrosë së Sigurisë Kombëtare. Tusk ishte gjithashtu në kontakt me presidentin Andrzej Duda, komandantin suprem të forcave të armatosura të Polonisë.

Nuk ishte e qartë nëse objekti që Polonia raportoi, lidhej me breshërinë e sulmeve ruse me raketa në Ukrainë gjatë natës.

Kjo nuk është hera e parë që një objekt i paautorizuar hyn në hapësirën ajrore të Polonisë nga drejtimi i Ukrainës që nga pushtimi i plotë i Rusisë. Në nëntor 2022, dy burra u vranë kur një raketë goditi fshatin Przewodów, disa kilometra larg kufirit. Zyrtarët perëndimorë thanë se besonin se një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase kishte humbur rrugën.

poloni rusi lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll