Aktualitet

"Një nga problemet më të mëdha të këtij viti"/ Kreu i Gjykatës së Lartë: E papranueshme që ata që njohin ligjin paraqesin rekurse të pabazuara

Sadushi shtoi se mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit

29 Dhjetor 2023, 10:38 Nga r.ll

"Një nga problemet më të mëdha të këtij

TIRANË- Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në një dalje për mediat sot tha se një nga problemet më të mëdha të këtij viti ishte paraqitja e rekurseve që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë.

Ai tha se është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara.

Sadushi shtoi se mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit

“E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje).

Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.

Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara.

Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura”, shpjegoi Sadushi.

sokol sadushi gjykata e larte

Sondazh

Poll