Bota

Protestat në Serbi/ Studentët bllokojnë rrugën në qendër të Beogradit, duan qasje në listën zgjedhore

Paraprakisht, me të njëjtën kërkesë, studentët protestuan edhe para selisë së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Birçaninovë.

25 Dhjetor 2023, 14:37 Nga r.ll
Protestat në Serbi/ Studentët bllokojnë rrugën në
foto nga protesta

BEOGRAD- Më 25 dhjetor, një grup studentësh në Beograd të Serbisë bllokuan trafikun në kryqëzimin e rrugëve "Kneza Millosha" dhe "Birçaninova" , duke kërkuar që autoritetet në Serbi ta lejojnë inspektimin publik të listës së votuesve.

Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë. Rreth tij gjenden ndërtesat e Qeverisë së Serbisë, ministri të shumta dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe.

Paraprakisht, me të njëjtën kërkesë, studentët protestuan edhe para selisë së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Birçaninovë. Ata njoftuan se duan qasje në listën e votuesve për ta kontrolluar atë, pasi që organizata vendëse dhe evropiane që vëzhguan zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor shprehën dyshime për rregullsinë e tyre.

Ata më herët njoftuan se bllokadat do të zgjasin gjashtë orë dhe se protestave në Beograd do t'u bashkohen edhe studentë nga Universiteti i Novi Sadit. Gati 40 demonstrues u arrestuan gjatë një proteste të koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd, pasi një grup personash të maskuar tentuan të hyjnë në Kuvendin e Beogradit.

Gjatë protestës, disa persona thyen xhamat dhe dyert e ndërtesës, ndërsa policia brenda saj hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre. Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) tha se incidentet në protestën e opozitës në Beograd të dielën janë shkaktuar nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.

“Autoritetet përdorën dhunën për t'i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, tha SPN-ja.

Ata njoftuan se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha më 24 dhjetor se shërbimi rus i sigurisë siguroi informacion për incidente potenciale në protestën në Beograd, ndërsa ajo akuzoi koalicionin opozitar "Serbia kundër dhunës" për përpjekje për ta "destabilizuar me dhunë shtetin".

Ajo deklaroi se gjatë fushatës, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ishte “paralajmëruar për synimet e opozitës”.

“Para së gjithash, në këtë mënyrë na ka dhënë informacione edhe shërbimi i sigurisë ruse. Kur personalisht i ndava ato me disa ambasadorë, ata na akuzuan për përhapje të dezinformatave, të të pavërtetave, [na thanë] se ne i besojmë shërbimit rus dhe se e gjitha kjo është e pakuptimtë”, tha Brnabiç.

Opozita ka protestuar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke pretenduar se ato janë vjedhur nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga jashtë vendit./REL

protesta ne serbi

Sondazh

Poll