Bota

Krishtlindjet, Betlehemi mban zi, Ukraina feston me Perëndimin

Festimet e Krishtlindjeve në Betlehem po errësohen nga “konflikti i armatosur në Gaza”, tha Papa Françesku, ndërsa ukrainasit festojnë Krishtlindjet për herë të parë më 25 dhjetor, në sinkron me vendet perëndimore, në kundërshtim me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja. 

25 Dhjetor 2023, 09:23 Nga a.l
Krishtlindjet, Betlehemi mban zi, Ukraina feston me Perëndimin
Krishtlindje

RUSI- Pothuajse dy vjet pasi Rusia pushtoi vendin e tyre, ortodoksët ukrainas kanë marrë pjesë në shërbesat fetare që nga mbrëmja e kaluar teksa festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, në të njëjtën datë me botën perëndimore, për herë të parë në historinë e tyre, në shenjë sfide përballë Moskës. Festimet e Krishtlindjeve në Betlehem po errësohen nga “konflikti i armatosur në Gaza”, tha Papa Françesku, ndërsa ukrainasit festojnë Krishtlindjet për herë të parë më 25 dhjetor, në sinkron me vendet perëndimore, në kundërshtim me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja. 

“Zemrat tona, këtë mbrëmje, janë në Betlehem, ku princi i paqes është refuzuar edhe një herë nga logjika e dështuar e luftës, me konfliktin e armatosur që edhe sot e pengon atë të gjejë një vend në botë”, tha Papa dje në meshën e Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Vendi i shenjtë i krishterimit, qyteti i Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ishte bosh nga pelegrinët këtë vit, ndërsa shumica e festimeve të Krishtlindjeve u anuluan për shkak të luftës në Rripin e Gazës. “Ka shumë që vdesin për këtë tokë, është shumë e vështirë të festosh diçka kur njerëzit tanë po vdesin,” tha Nicole Nazar, një studente 18-vjeçare, në sheshin e shkretë në Manger.


Përpara Bazilikës së Lindjes së Krishtit, këtë vit nuk u ngrit asnjë grazhd: Maria dhe Jozefi përfaqësohen nga statuja gri, midis mbeturinave, pas gardheve me tela me gjemba. Duke u ndalur te festimet në Ukrainë, Zelensky tha se; “Ne lutemi për përfundimin e luftës. Ne lutemi për fitore. Për paqe, për drejtësi”. Deklarata u bë përpara manastirit që priti deri në fund të vitit 2022 kreun e Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila ende nuk ishte bërë e pavarur nga Moska.

Është hera e parë në historinë moderne të Ukrainës që besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjet në sinkron me katolikët, si dhe ortodoksët në Greqi, Rumani dhe Bullgari, më 25 dhjetor dhe jo më 7 janar siç ishte zakon deri tani. Kisha Ortodokse Ruse ndjek kalendarin e vjetër Julian për festat fetare.

krishtlindje

Sondazh

Poll