Politike

Berisha: Akti ndaj gazetarit Qyno është një akt tipik i një regjimi policesk, është një rrëmbim shtetëror

Berisha tha se dosja Dumani është shitur, dhe në vend që të arrestohen bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, arrestojnë gazetarët.

14 Dhjetor 2023, 09:28 Nga I.A
Berisha: Akti ndaj gazetarit Qyno është një akt tipik i një
Dashnor Sula

TIRANË- Kryetari i PD Sali Berisha tha se, nuk ka akt më të shëmtuar se sa të rrëmbesh që gazetar i cili ka publikuar dokumente. Kryedemokrati e cilësoi këtë veprim të SPAK si një akt kriminal, antikushtetues që kryhej dikur nga policia sekrete e Enver Hoxhës.

Berisha tha se, ky rast do ndiqet me forcën më të madhe kundrejt atyre që kanë kryer këtë sulm kundrejt gazetarit Qyno, i cili thjesht ka kryer punën e tij korrekte. Berisha tha se dosja Dumani është shitur, dhe në vend që të arrestohen bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, arrestojnë gazetarët.

"Akt më i shëmtuar në historinë e vendit ndaj medieve, të rrëmbesh një gazetar pse ka publikuar dokumente, është akt kriminal, antikushtetues, është akt që kryhej vetëm nga falangat e policisë sekrete të Enver Hoxhës dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Ne do e ndjekim këtë me forcën më të madhe për të bërë përgjegjës të gjithë ata që kanë kryer dje këtë akt ndaj një gazetari, i cili për hir të së vërtetës ruan një korrektesë të admirueshme në raportet që i bën publikut për kronikat e tij. Ky akt vinte si një maskim që anëtarë të grupeve kriminale në SPAK, i bëjnë veprimtarisë së tyre. Ata shesin dokumente, duan të informojnë me çdo kusht bandat dhe krimin, por një gjë është e sigurt, asnjë gazetar nuk mund të marrë asgjë në dosjen e tyre nëse ata nuk shesin dokumente dhe nuk i nxjerrin. Ndaj akti ndaj gazetarit Qyno është një akt tipik i një regjimi policesk, është një rrëmbim shtetëror, është i dënueshëm dhe unë ftoj mediat në Shqipëri dhe në botë të reagojnë me forcën më të madhe ndaj këtij akti antikushtetues, çnjerëzor, që shkon në përmasat e një terrori, një pengmarrje dhe tejkalon çdo lloj imagjinate. Edhe njëherë e them, dosja Dumani është shitur. Nuk ka asnjë shans tjetër që Elton Qyno të ketë shkuar dhe shkulur nga dosja e prokurorit bisedën e bërë. Prandaj dhe ata në vend që të hetojnë bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, ngatërrojnë adresën dhe arrestojnë gazetarë, të cilët kurrë nuk duhet të deklarojnë burimin. Gazetari që deklaron burimin, merr përsipër hjekësin, i cili është gjithmonë më i ligë se dorasi. Ndaj dhe akti është në rrafshin moral, më i ulëti që mund të bëhet," tha Berisha.

sali berisha elton qyno

Sondazh

Poll