Bota

Hamasi paralajmëron Izraelin: Nuk ka lirim të pengjeve pa u shkëmbyer me të burgosur palestinezë

Përgjigja vjen, pasi të premten pati një tentativë të ushtrisë izraelite për të liruar pengje, por si rezultat i kësaj tentative të dështuar, Hamasi thotë se vdiq një peng izraelit, 25-vjeçari Sahar Baruch.

10 Dhjetor 2023, 17:53 Nga A.TH
Hamasi paralajmëron Izraelin: Nuk ka lirim të pengjeve pa u
Foto ilustruese

GAZË- Hamasi paralajmëroi sot se nuk do të lirohet asnjë peng pa u shkëmbyer me të burgosur palestinezë. Përgjigja vjen, pasi të premten pati një tentativë të ushtrisë izraelite për të liruar pengje, por si rezultat i kësaj tentative të dështuar, Hamasi thotë se vdiq një peng izraelit, 25-vjeçari Sahar Baruch.

Sipas Abu Obaida i Brigadave al Qassam, pjesa më e madhe e retorikës së zyrtarëve izraelitë është dominuar nga nevoja për të ushtruar presion ushtarak mbi Hamasin në mënyrë që të detyrohet lirimi i pengjeve, në vend që të përdoret diplomacia, shkruajnë mediat e huaja.

Obaida deklaroi se kjo nuk ka funksionuar dhe Hamasi më herët raportoi këtë javë se një nga pengjet e Izraelit, Sahar Baruch, vdiq si rezultat i një përpjekjeje të pasuksesshme të shpëtimit të IDF. Rreth 105 pengje të mbajtura nga Hamasi u liruan në këmbim të rreth 240 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli gjatë armëpushimit shtatë-ditor që skadoi në fillim të këtij muaji.

"Armëpushimi i përkohshëm vërtetoi të vërtetën tonë dhe gënjeshtrat e armikut dhe armëpushimi dëshmoi se asnjë nga të burgosurit e armikut nuk është liruar dhe nuk do të lirohet përveçse përmes një shkëmbimi," tha Obaida. Ai u shpreh se operacionet ushtarake të al Qassam kundër IDF rezultuan të suksesshme, duke pretenduar se ato po shkaktonin shumë viktima në rradhët e ushtrisë izraelite.

Izraeli pretendon se ka vrarë rreth 7,000 luftëtarë të Hamasit që nga 7 tetori dhe se rreth 425 ushtarë të IDF kanë vdekur në atë kohë. Obaida gjithashtu pohoi se Brigadat al Qassam kishin shkatërruar 180 automjete të IDF në Gaza dhe zbardhi disa të dhëna për mënyrën se si po vepronin luftëtarët.

konflikti izrael-palestine

Sondazh

Poll