Ekonomi

Yield-et e obligacioneve dyvjeçare rriten përsëri, prekin nivelin më të lartë që prej muajit prill

Rritja e yield-it ishte edhe rezultat i rritjes së shumës së emetimit të planifikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

6 Dhjetor 2023, 07:19 Nga A.B
Yield-et e obligacioneve dyvjeçare rriten përsëri, prekin
foto ilustruese

TIRANË- Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare e kanë nisur me një tjetër rritje të lehtë muajin dhjetor.

Në ankandin e rihapjes së obligacioneve dyvjeçare, që u zhvillua ditën e martë, yield-i uniform i pranuar arriti në 4.23%, me një rritje të lehtë nga niveli prej 4.18% i ankandit të mëparshëm. Yield-i obligacioneve dyvjeçare ka arritur tashmë nivelet më të larta që prej muajit prill.

Rritja e yield-it ishte edhe rezultat i rritjes së shumës së emetimit të planifikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Nga 2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa për një vlerë totale prej 4.6 miliardë lekësh. MFE vendosi ta rrisë shumën e emetuar në kufirin maksimal prej 15%, e lejuar nga kuadri i brendshëm rregulaltor për huamarrjen, duke e çuar atë në 2.3 miliardë lekë.

Ndërkohë, ashtu siç kishte ndodhur edhe më herët gjatë këtij viti, ditën e sotme MFE vendosi të refuzojë kërkesat e paraqitura në ankandin e bonove 3-mujore.

Qeveria kishte shpallur për financim një shumë prej 1 miliardë lekësh, por vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand ishte më pak se 762 milionë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar i kërkesave ishte 3.24%, pranë nivelit të normës bazë të interesit. Megjithatë, MFE nuk pranoi asnjë prej kërkesave, duke preferuar ta zëvendësojë këtë shumë pjesërisht me rritjen e emetimit të obligacioneve dyvjeçare.

Pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, në fillim të muajit nëntor, tregu financiar ka reaguar me një rritje graduale të yield-eve të kërkuara për financimin e borxhit të qeverisë. Megjithatë, deri tani, kjo rritje ka qenë e kufizuar dhe në limitet e rritjes me 0.25 pikë përqindje të normës bazë.

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori, Gent Sejko, paralalajmëroi lëvizje të mëtejshme shtrënguese të politikës monetare, për të mundësuar uljen e mëtejshme të inflacionit pranë kufirit të 3%. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, inflacioni në muajin tetor ishte nivelin 3.8%. Për herë të parë që nga fillimi i ciklit inflacionist, në fillim të vitit 2022, Shqipëria ka një normë inflacioni më të lartë krahasuar me nivelet e Bashkimit Europian. Banka e Shqipërisë nënvizon se veçanërisht presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta, të nxitura veçanërisht nga rritja e kostos së punës dhe vështirësia për sigurimin e fuqisë punëtore.

Në këto kushte, është e pritshme që norma bazë e interesit të rritet më tej, për tu afruar me nivelin neutral që vlerësohet në intervalin 4.25%-4.5%. megjithatë, ecuria e inflacionit gjatë muajve të ardhshëm do të përcaktojë se çfarë përmasash duhet të ketë shtrëngimi i mëtejshëm monetar. Nëse inflacioni në Eurozonë do të vazhdojë të shfaqë rënie të qëndrueshme, gjasa janë që edhe presionet mbi ekonominë shqiptare të ulen dhe një rritje e normës bazë sipër nivelit të 4% mund të mos jetë e domosdoshme. /MONITOR

borxhet shqiptare

Sondazh

Poll