Ekonomi

Ministria e Financave shpall procedurën për blerjen mbrapsht të 250 milionë eurove nga Eurobondi që maturohet në 2025

Shuma e planifikuar në procedurën e buyback është rritur në 250 milionë euro, nga 200 milionë euro të programuara më parë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (shifër kjo e konfirmuar edhe në relacionin e projektbuxhetit 2024). Deri në fund të 9-mujorit, buxheti i shtetit kishte një suficit rekord prej 51 miliardë lekësh.

16 Nëntor 2023, 09:31 Nga A.B

Ministria e Financave shpall procedurën për blerjen mbrapsht të

Qeveria shqiptare shpalli më datë 14 nëntor ofertën për blerjen mbrapsht të 250 milionë eurove nga Eurobondi që maturohet në vitin 2025.

Ashtu siç kishte paralajmëruar në muajin qershor kur u emetua Eurobondi më i fundit, një pjesë e tij do të përdoret për shlyer pjesërisht para afatit Eurobondin e emetuar në vitin 2015.

Shuma e planifikuar në procedurën e buyback është rritur në 250 milionë euro, nga 200 milionë euro të programuara më parë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (shifër kjo e konfirmuar edhe në relacionin e projektbuxhetit 2024). Deri në fund të 9-mujorit, buxheti i shtetit kishte një suficit rekord prej 51 miliardë lekësh.

Megjithëse miratoi një rialokim të shpenzimeve buxhetore në fillim të muajit nëntor, tashmë qeveria mund të ketë hequr dorë nga realizimi i një pjese të deficitit të parashikuar për vitin 2023 dhe për këtë arsye ka lënë të hapur mundësinë për një ulje të borxhit me 50 milionë euro, nëpërmjet rritjes së shumës së buyback për Eurobondin që maturohet në 2025.

Sidoqoftë, shuma e buyback është fleksibël dhe jo domosdoshmërisht do të blihet e gjitha, përveçse realizimi varet gjithmonë nga interesi i investitorëve për të marrë pjesë në të.

Eurobondi i emetuar në vitin 2018 kishte një vlerë totale prej 500 milionë eurosh, me afat maturimi 7-vjeçar, kupon fiks prej 3.5% dhe një yield prej 3.55%. Qeveria shqiptare iu ofron mbajtësve të Eurobondit një çmim prej 98.5% të principalit ose vlerës nominale të Eurobondit.

Sipas burimeve nga tregu, aktualisht ky Eurobond tregtohet me një yield prej afërsisht 4.7%, që nënkupton se investitori me kushtet e tregut do ta shiste titullin me një skontim më të lartë se ajo që i ofron qeveria shqiptare. Në teori, për investitorët shitja e Eurobondit para maturimit me këto terma do të ishte e leverdisshme, duke pasur parasysh që aktualisht yield-et në tregjet financiare janë rritur ndjeshëm dhe paratë mund të investohen me kthime më të larta.

Megjithatë, gatishmëria e investitorëve për të marrë pjesë në ofertën e shpallur nga qeveria shqiptare mund të varet nga strategjitë individuale të investimit.

Këtë vit, Ministria e Financave ka zhvilluar operacione të ngjashme buy back edhe për titujt referencë që maturohen vitin e ardhshëm, por interesi i investitorëve për të marrë pjesë në këto ankande ka qenë i ulët.

Bankat tregtare shqiptare kanë blerë sasi të konsiderueshme të Eurobondeve të qeverisë shqiptare, por vitin e kaluar rritja e normave të interesit i nxiti shumicën prej tyre që t’i zhvendosnin obligacionet në klasën “të mbajtura në maturim”. Një strategji e tillë e kufizon interesin e sektorit për të tregtuar titujt para maturimit dhe kjo mund të vlejë edhe për Eurobondet e vitit 2018 të mbajtura në portofolet e tyre.

Në fillim të muajit qershor, Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj. Eurobondi 5-vjeçar në shumën 600 milionë euro u shit me një kupon fiks prej 5.9% dhe me një yield prej 6.125%. Megjithëse një pjesë e kësaj huaje do të përdorej për të shlyer Eurobondin që maturohet në vitin 2025, procedura e buyback u hap pesë muaj më vonë, pas pagesës së kuponit vjetor të parashikuar për këtë obligacion, më datë 9 tetor. /MONITOR

Sondazh

Poll