Politike

Akuzat e Berishës, Ambasadori britanik: Nuk komentoj raste individuale. Non grata të tjerë? Nuk ekziston asnjë listë tjetër

Ai thotë se nëse kjo do të ndodhë do të jetë Londra që do të bëjë publike vendimet e saj.

29 Shtator 2023, 20:28 Nga I.A
Akuzat e Berishës, Ambasadori britanik: Nuk komentoj raste individuale. Non
Alastair King Smith

TIRANË- Ambasadori britanik Alastair King Smith ka mohuar se qeveria britanike të ketë një listë tjetër me persona “non grata”. Në një intervistë për Tv Klan, King Smith ka theksuar se shteti britanik është i vendosur t’i ndalojë hyrjen çdo politikani, funksionari e sipërmarrësi të korruptuar apo të lidhur me krimin.

Ai thotë se nëse kjo do të ndodhë do të jetë Londra që do të bëjë publike vendimet e saj. I pyetur për akuzat e liderit demokrat Berisha në adresë të tij, ai refuzon t’i komentojë, por thotë se mbështet sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Elja Zotka: Ka pasur një lumë akuzash në adresën tuaj nga Sali Berisha. Kush është e vërteta juaj? E ka artikuluar shumë shpesh që ju jeni përdorur nga qeveria shqiptare dhe pa asnjë provë konkrete për të i keni sugjeruar qeverisë suaj që ai të shpallet “non grata”.

Alastair King Smith: Siç e dini, ne nuk komentojmë për raste individuale, por dëshiroj të sqaroj diçka. Qasja jonë është e bazuar në një kontekst të gjerë të përmirësimit të llogaridhënies dhe dhënies fund pandëshkueshmërisë. Në këtë kuadër mbështesim aktorët vendas të drejtësisë që të jenë më efikasë. Është pozitive të shohim ndjekjet më të mëdha penale dhe dënimin e personave të përfshirë në korrupsion ose kriminalitet dhe do të vijojmë të mbështesim dhe nxisim këto veprime këtu në Shqipëri. Gjithashtu sigurohemi që si Mbretëri e Bashkuar të marrim në konsideratë rastet e papërshtatshme në kuadër të të mirës publike, lidhur me individë të përfshirë në korrupsion dhe fusha të tjera të kriminalitetit, duke mos i lejuar të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar ose të kenë pasuri në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe do të vijojmë në këtë dhe ministrat do të përdorin instrumentet kur janë të nevojshëm.

Elja Zotka: Po flitet këto kohë që ka pasur një listë të re. Sa e vërtetë është kjo? E di që emra nuk do kem, por jam e interesuar ta di nëse ka një listë të re pas asaj të vitit të shkuar?

Alastair King Smith: Nuk bëjmë komente për spekulime apo zëra, kështu që nuk do të kem mundësi të përgjigjem specifikisht për këtë pikë. Këto vendime merren nga Qeveria Britanike. Vendimet merren në Londër dhe shpallen nga Londra kur ka vendime që duhet të shpallen, por nuk do të bëjmë komente derisa të jetë marrë vendim.

Elja Zotka: Aktualisht nuk ka një vendim të tillë?

Alastair King Smith: Siç thashë, këto vendime merren nga Londra. Qartësisht nuk e përjashtoj mundësinë në të ardhmen dhe këtë e kam thënë edhe më parë dhe është thënë edhe nga Lordi Peach kur u përcaktuan sanksionet në Korrik 2022, kjo është pjesë e një qasjeje botërore që do të vijojë, por edhe njëherë mund t’ju them që nuk komentojmë mbi spekulime dhe zëra.

alastair king smith sali berisha

Sondazh

Poll