Ekonomi

Tregtimi në bursë i energjisë/ ALPEX dërgon në ERE metodologjinë dhe tarifat për Shqipërinë dhe Kosovën

Struktura e tarifave për pjesëmarrësit në tregjet e ALPEX-it duhet të jetë e njëjtë për të dy tregjet Shqipëri dhe Kosovë

8 Shtator 2023, 14:30 Nga f.i
Tregtimi në bursë i energjisë/ ALPEX dërgon në ERE
foto ilustruese

TIRANË- Tregtimi në bursë i energjisë për anëtarët e saj që u përkasin hallkave të ndryshme bëhet kundrejt pagesës së tarifave specifike nga këto të fundit. Pagesa e këtyre tarifave i jep mundësinë bursës që të ketë një buxhet të pavarur për funksionimin e saj. Së fundmi, në Entin Rregullator të Energjisë është dorëzuar metodologjia e përcaktimit të strukturës së tarifave në ALPEX dhe miratimin e listës së tarifave.

Në dokumentin që i ka dërguar ERE, Bursa nënvizon se metodologjia është hartuar duke u mbështetur në eksperiencën e deritanishme përsa i përket tregtimit në Tregun e Ditës në Avancë për zonën e ofertimit Kosovë së bashku me bashkimin e tregjeve Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërkohë në metodologji nënvizohet se në përcaktimin strukturës së tarifave për anëtarët pjesëmarrjes në tregjet ALPEX është marrë parasysh objektivi që kapitali neto i shoqërisë të jetë i barabartë me kapitalin e nënshkruar, atë në vlerën 250 milionë lekë deri në fund të vitit 2028.

Kjo strukturë tarifash duhet të ndjekë parimet e mëposhtme:

-Struktura e tarifave për pjesëmarrësit në tregjet e ALPEX-it duhet të jetë e njëjtë për të dy tregjet Shqipëri dhe Kosovë.

-Struktura e tarifave për pjesëmarrësit në tregjet e ALPEX-it duhet të jetë e thjeshtë.

-Komponentët e tarifave për pjesëmarrësit në tregjet e ALPEX-it që ngarkojnë çdo pjesëmarrës duhet të reflektojnë në një farë mase kërkesat për të ardhura të buxhetuara.

-Tarifat për pjesëmarrësit nuk duhet në mënyrë të paarsyeshme apo të diskriminojnë ndonjë kategori pjesëmarrësish.

-Tarifat janë vendosur mbi bazë fitimi pas vitin 2024 dhe deri në vitin 2028 do gienerojnë fitim progresiv deri sa kapitali neto të jetë 250 milionë lekë.

-Pas vitit 2028 kur të arrihet targeti i mësipërm, tarifat do të vendosen mbi parimin e mos krijimit e të të ardhurave si qëllim në vetvete, por vetëm do mbulojnë totalin e kostove. Kthimi nga kapitali

ROE do të jetë në masën 5% në vit me qëllim për ta bërë ALPEX-in më atraktiv në mënyre që të përballojë sfidat e së ardhshmes, atë të riorganizmit të tregjeve të energjisë në Europe”, thuhet në dokumentin e ALPEX.

Tarifat në bursë sipas ALPEX

ALPEX ka dorëzuar bashkë me metodologjinë edhe një listë me tarifa të tij si Operator i Emëruar i Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kështu një anëtar i bursës paguan tarifë administrative vetëm një herë në vlerën 200 euro, Tarifa e anëtarësimit nga ana tjetër që paguhet edhe kjo vetëm një herë është 7 mijë euro. Anëtari i klerimit paguan një herë një tarifë 5 mijë euro, kurse tarifa vjetore e një anëtari burse është sipas tabelës 10 mijë euro. 

Tarifa variabël e tregtimit në bursë është llogaritur 0.070 euro/MWh ndërkohë që ajo e klerimit 0.020 euro/ MWh. Tarifa vjetore e trajnimit është 200 euro.

ALPEX nisi operimin në prill të këtij viti. U regjistrua si subjekt në 23 tetor 2020 me aksioner Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë me 57.25% të aksioneve dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Kosovës me 42.75% të aksioneve.

Marrë nga Monitor

bursa e energjisë

Sondazh

Poll