Bota

Albin Kurti kërkoi heqjen e masave ndaj Kosovës, por BE-së nuk i mjaftojnë! DW: Unioni i cilësoi si zhvillim në drejtimin e duhur

Pesë ditë më parë ndërkaq, diplomatë evropianë dhe amerikanë, përkatësisht dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë, në një letër derguar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel dhe Sekretarit amrikan të shtetit Antony Blinken, kërkuan diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës. Ata në letër theksuan mungesën e presionit ndaj Serbisë, pas tensioneve në veri të Kosovës.

11 Gusht 2023, 14:56 Nga k.m.
Albin Kurti kërkoi heqjen e masave ndaj Kosovës, por BE-së nuk i
Albin Kurti

Më 10 korrik pas një dakordimi që u arrit në Bratislavë ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës uli me 50% praninë e saj në objektet e komunave në veri të Kosovës. Prandaj kryeministri Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat, siç i quajti ai, “të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës”, ndërsa, përsëriti se “qeveria është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit”.

“Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese ndaj saj”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kërkohet diplomaci parandaluese

Pesë ditë më parë ndërkaq, diplomatë evropianë dhe amerikanë, përkatësisht dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë, në një letër derguar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel dhe Sekretarit amrikan të shtetit Antony Blinken, kërkuan diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës. Ata në letër theksuan mungesën e presionit ndaj Serbisë, pas tensioneve në veri të Kosovës.

Lidhur me letrën e kaq shumë politikanëve u shpreh edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “politikën e jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij”. “Sa i takon kësaj çështje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Pra, kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian, kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive të bllokut”, tha zëdhënësi Stano.

Qeveria e Kosovës ka nisur punën për hartimin e një udhëzimi administrativ që do të mundësonte përmes një peticioni, shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviҫ, Zubin Potok, Zveҫan dhe Mitrovicë e Veriut. Kryeministri Albin Kurti, thotë se mënyra më e mirë për thirrje për zgjedhje të reja në veri është përmes ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili u mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre përmes peticionit. “Jemi të hapur për zgjedhje të reja përmes nenit 72 të ligjit për vëtëqeverisje lokale. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji dhe tash e presim punën e tyre”, thotë kryeministri Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, janë kërkuar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar si një nga kushtet kryesore për shtensionim të situatës në veri. Sa kohë ato nuk zhvillohen Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale./DW

albin kurti tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll