Ekonomi

Kreditë me probleme për institucionet financiare jo banka ranë për herë të parë në katër vjet

Raporti i kredive me probleme pësoi rënie vitin e kaluar edhe për institucionet financiare jo banka (IFJB). Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport zbriti në 13.2%, nga 13.6% që kishte qenë një vit më parë. Raporti i kredive me probleme të këtyre institucioneve pësoi rënie për herë të parë që nga viti 2018.

8 Gusht 2023, 15:10 Nga m.s
Kreditë me probleme për institucionet financiare jo banka ranë
foto ilustruese

Raporti i kredive me probleme pësoi rënie vitin e kaluar edhe për institucionet financiare jo banka (IFJB). Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport zbriti në 13.2%, nga 13.6% që kishte qenë një vit më parë. Raporti i kredive me probleme të këtyre institucioneve pësoi rënie për herë të parë që nga viti 2018.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky rezultat është ndikuar nga rritja më e madhe e portofolit të kredisë krahasuar me vlerën e portofolit të kredive me probleme. Rritja e totalit të kredive me probleme shfaqet më e lartë tek subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë.

Këto subjekte kanë dhënë edhe ndikimin kryesor në rritjen e kreditimit dhe madhësisë së sektorit të institucioneve financiare jobanka në vitet e fundit. Rritja e kredisë ka ardhur veçanërisht në segmentin e kredive të shpejta konsumatore, ku edhe rreziku i kredisë në përgjithësi është më madh. Ato janë të ekspozuara tek klientë me rrezik më të lartë dhe të brishtë ndaj goditjeve, siç ishte vala inflacioniste e vitit të kaluar. Pavarësisht rritjes së inflacionit, sektori ka arritur të shmangë rritjen e raportit të kredive me probleme, kryesisht falë ruajtjes së niveleve të kënaqshme të huadhënies së re.

Në fund të vitit 2022, portofoli i kredisë bruto për IFJB-të arrin në 47.4 miliardë lekë, në rritje me 12.5% krahasuar me vitin paraardhës. Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së IFJB-ve, rreth 77%, mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë. Aktiviteti me rritjen më të lartë edhe gjatë vitit 2022 ka qenë mikrokredia, me rreth 2.6 miliardë lekë ose sa gjysma e rritjes totale të portofolit të kredisë së sektorit.

Portofoli i kredisë së IFJB-ve arrin në 6.24% të totalit të kredisë së sistemit bankar, duke regjistruar një rritje prej 0.34 pikë përqindje krahasuar me vitin paraardhës.

Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar pësoi rënie edhe në segmentin e shoqërive të kursim-kreditit. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme për grupin e SHKK-ve zbriti në në nivelin 4.71%, me një rënie prej 0.47 pikë përqindje krahasuar me vitin paraardhës. Shoqëritë e kursim-kreditit ose kooperativat financiare janë institucione të lejuara me ligj të pranojnë depozita nga anëtarët dhe të ofrojnë kredi për ta. Ato janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore. Filozofia e këtyre institucioneve është të ofrojë shërbime financiare për ato zona dhe segmente të popullsisë që kanë akses të pakët në sistemin bankar.

Në dhjetor 2022, portofoli i kredisë bruto për grupin e SHKK-ve arriti në nivelin prej 10.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.39 miliardë ose 13%, krahasuar me një vit më parë. Portofoli i kredisë bruto të SHKK-ve përbën vetëm 1.48% të portofolit të kredive të sistemit bankar. /Monitor

kredite shqiperi

Sondazh

Poll