Ekonomi

Yield-et e Bonove 12-mujore rriten për herë të parë në katër muaj

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.14%, nga 3.09% që kishte qenë në dy ankandet e mëparshme.

19 Korrik 2023, 07:37 Nga I.A
Yield-et e Bonove 12-mujore rriten për herë të parë në
Foto Ilustruese

TIRANË- Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit shënuan një rritje të lehtë në ankandin e kësaj jave, për herë të parë që nga muaji mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.14%, nga 3.09% që kishte qenë në dy ankandet e mëparshme.

Nga 7.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand rezultoi lehtësisht më e lartë, në 7.32 miliardë lekë. Në fund, MFE vendosi të pranojë një shumë pak më të ulët se ajo e shpallur, në vlerën e 6.92 miliardë lekëve, ndoshta për shkak të rritjes së yield-eve.

Pasi u rritën me ritme të shpejta në pjesën e dytë të vitit të kaluar, këtë vit yield-et e bonove 12-mujore, ashtu si edhe të instrumenteve të tjera të borxhit të qeverisë, kanë pësuar një rënie të vazhdueshme dhe ndoshta të paparashikuar në fillim të këtij viti.

Yield-et e bonove 12-mujore zbritën deri në nivelin 3.09% mes fundit të korrikut dhe fillimit të qershorit, në nivelin më të ulët në 11 muaj. Asnjëherë më parë yield-et e këtyre instrumenteve nuk kishin zbritur aq afër normës bazë të interesit.

Arsyeja e kësaj rënieje duket të jetë likuiditeti i lartë në tregun financiar dhe kërkesa e lartë e investitorëve për letrat e borxhit të qeverisë. Megjithatë, pasi zbritën shumë pranë normës bazë të interesit, duket se yield-et për momentin e prekën pikën më të ulët dhe kishte ardhur koha për një korrektim në rritje.

Më herët gjatë këtij muaji, u regjistrua një ngjarje shumë e rrallë në historinë e huamarrjes së brendshme: Ministria e Financave dhe Ekonomisë refuzoi të gjitha kërkesat e paraqitura në ankandin e bonove me maturim 6-mujor. Arsyeja ishte sepse yield-i mesatar i ponderuar i kërkuar nga investitorët ishte 3.06%, shumë afër yield-it prej 3.09% të bonove 12-mujore.

Veprimi i MFE ishte një lloj presioni ndaj tregut për t’i ulur yield-et e bonove afatshkurtra poshtë normës bazë të interesit. Megjithatë, duket se ky presion nuk ka funksionuar dhe në ankandin e radhës tregu ka reaguar duke rritur yield-et e kërkuara për bonot 12-mujore.

Për momentin, rritja e lehtë e yield-eve të bonove 12-mujore nuk sinjalizon ndonjë ndryshim domethënës të kushteve të tregut të letrave me vlerë të qeverisë. Ekspertët mendojnë se mund të ketë një korrektim të mëtejshëm në rritje të normave të interesit, por në përmasa të vogla, të paktën derisa Banka e Shqipërisë të vendosë të rifillojë rritjen e normave bazë të interesit.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë po vazhdon ta shtyjë rritjen e mëtejshme të normave të interesit, e shtyrë kryesisht nga forcimi i paprecedentë i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Për momentin, qeveria shqiptare ndodhet në kushte komode. Suficiti i lartë buxhetor dhe Eurobondi prej 600 milionë eurosh i siguruar në muajin qershor kanë krijuar një tepricë të konsiderueshme likuiditeti, që krijon hapësira fleksibiliteti për të përshtatur huamarrjen në afatin e shkurtër.

Për pjesën e dytë të vitit, pritet që MFE të rrisë peshën e emetimeve të instrumenteve aftagjata, për të shfrytëzuar normat ende të favorshme të interesit dhe për të zgjatur maturitetin mesatar të borxhit, duke ulur paralelisht edhe rreziqet e rifinancimit.

Marrë nga Monitor.al

yield bonot e thesarit

Sondazh

Poll