Aktualitet

E financuar nga Italia, përfundon faza e parë e trajnimit për Mbrojtjen Civile

Pas përfundimit të fazës së parë, do të bëhet edhe faza e dytë e trajnimit në Itali për menaxhimin e llojeve të ndryshme të emergjencave (përmbytje, zjarre, tërmete).

27 Qershor 2023, 17:56 Nga I.A
E financuar nga Italia, përfundon faza e parë e trajnimit për
Pjese nga trajnimi

TIRANË- Një projekt i financuar nga qeveria italiane ka përfunduar në Ministrinë e Mbrojtjes. Me anë të një postimi, bëhet me dije se ky projekt i financuar me 1.2 milion euro, u zhvillua për Operatorët Shqiptarë të Mbrojtjes Civile. Pas përfundimit të fazës së parë, do të bëhet edhe faza e dytë e trajnimit në Itali për menaxhimin e llojeve të ndryshme të emergjencave (përmbytje, zjarre, tërmete).

Njoftimi i Plotë:

Nga data 21 deri më 28 qershor 2023, në Tiranë, në kuadër të projektit “Krijimi i Qendrës Operative Kombëtare për Emergjencat Civile të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Shqiptare”, financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim, për një shumë prej 1.2 milionë euro u zhvillua kursi për Operatorët Shqiptarë të Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim dhe koordinim me Departamentin e Mbrojtjes Civile të Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Italisë dhe me Mbrojtjen Civile të Toskanës/Qyteti Metropolitan i Firences. Trajnimi i realizuar përmes pesë moduleve teorike, në të cilat morën pjesë 24 operatorë të Sallës Operative të Emergjencave Civile dhe staf i Bashkisë së Tiranës, iu shtua dhe një ushtrim praktik që synonte përsosjen e reagimit të Mbrojtjes Civile Shqiptare pas ngjarjeve katastrofike, për menaxhimin e llojeve të ndryshme të emergjencave (përmbytje, zjarre, tërmete, etj.). Pjesa e dytë e kursit do të zhvillohet në Itali, pranë Departamentit të Mbrojtjes Civile të Kryesise Italiane të Këshillit të Ministrave dhe Mbrojtjes Civile të Toskanës/Qytetit Metropolitan të Firences. Nisur nga shtimi i ngjarjeve katastrofike vitet e fundit, programi përputhet plotesisht me një prioritet gjithnjë në rritje të qeverisë shqiptare, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor: emergjencat civile. Kurset synojnë të përfshijnë, në mënyrë të strukturuar, të qëndrueshme dhe proaktive, njohuritë italiane të Mbrojtjes Civile, si një model ekselence i njohur ndërkombëtarisht.

ministria e mbrojtjes

Sondazh

Poll