Politike

Alibeaj i përgjigjet Bardhit: Këshilli Kombëtar ka kuorum

22 Qershor 2023, 12:32 Nga DOSJA

Alibeaj i përgjigjet Bardhit: Këshilli Kombëtar ka kuorum

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka folur këtë të enjte në lidhje me procesin zgjedhor që pritet të mbahet për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së.

Nga ambientet e jashtme të Kuvendit, Alibeaj iu përgjigj akuzave të Gazmend Bardhit se Këshilli Kombëtar i PD-së nuk ka kuorumin e mjaftueshëm për t’u mbledhur.

Alibeaj pranoi se një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së janë larguar te LSI-ja, dhe tha se nga 453 anëtarë kanë mbetur 329. Pra numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së të larguar sipas Alibeaj është 124.

Sipas tij, shifra prej 329 përmbush kuorumin e nevojshëm dhe Këshilli Kombëtar i PD-së është një organ që gëzon legjitimitet.

“Nuk ka qenë aspak një proces që i shërbente Lulzim Bashës. E mbani mend, kishte një vendim të Kryesisë një vit më parë me votat e të gjithë deputetëve, të cilët morën një vendim, në këtë seli të uzurpuar, që do të vazhdonim me këtë situatë pa bërë zgjedhje deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet lokale kanë përfunduar dhe në respekt të atij vendimi duhet të kishin nisur një orë e më parë zgjedhjet në Partinë Demokratike. Mund të jenë dhe tre kandidatë. Ju duhet të besoni dokumentat, faktet dhe syrin e kamerave. Ju keni qenë në punimet e Këshillit Kombëtar, po, është e vërtetë që një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë zgjedhur të jenë në një strofull të majtë, te LSI-ja, gjatë zgjedhjeve; dhe numri i personave besnikë, anëtarë që i qëndruan PD-së në ditët më të vështira, është 329. Nëse e pjestojmë me dy dhe i shtojmë 1, del shumica”, tha Alibeaj.

Sondazh

Poll