Bota

SHBA i kërkon presidentit Vuçiç lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës: Ndiqni planin me 3 pika

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, me anë të një postimi në Twitter apelon ndaj presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë, që të lirojnë tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor.

17 Qershor 2023, 20:12 Nga m.s
SHBA i kërkon presidentit Vuçiç lirimin e
Yuri Kim

KOSOVË-  Ambasadorja amerikane Yuri Kim, me anë të një postimi në Twitter apelon ndaj presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë, që të lirojnë tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor. Ajo thekson se prangosja e tyre, ka përkeqësur situatën. Ambasadorja Yuri Kim e mbyll mesazhin e saj, ku kërkon nga Kosova e Serbia që të ndjekin planin me tre pika, për t’iu rikthyer dialogut.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë, që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar. Ne gjithashtu vazhdojmë të kërkojmë nga Serbia dhe Kosova që të ndjekin planin me tre pika, të përshkruara nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkruan ambasadorja amerikane.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, duke e akuzuar Serbinë për “cënim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin me 3 pika të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve, dhe “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Tensionet janë të larta në veri të Kosovës prej 26 majit, prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Sondazh

Poll