Aktualitet

Trafik kokaine në lokalet e natës në Tiranë! Arrestohen 5 persona, Operacionalja i shtrin në tokë në kafene, PAMJET nga aksioni

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë.

14 Qershor 2023, 08:46 Nga A.B
Trafik kokaine në lokalet e natës në Tiranë! Arrestohen 5
Momenti i arrestimit

TIRANË- Finalizohet operacioni 'Moncler'. Në pranga kanë përfunduar Ledjo Gashi, Ergi Saliu, Brajan Lala, Erges Nexhipi dhe Mario Dema. Këto persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në lokalet e natës në Tiranë. Policia sekuestroi rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Sekuestrohet 1 kg e 100 gram kokainë, vihen në pranga 5 shtetas. Finalizohet me sukses pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar "Moncler", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Vihen në pranga 5 shtetas që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në lokalet e natës në Tiranë. Sekuestrohen rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Moncler".
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. G., 26 vjeç, E. S., 29 vjeç, të dy banues në Shijak, B. L., 24 vjeç, E. N., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, dhe M. D., 32 vjeç, banues në Rrashbull. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi D. B., 34 vjeç. Në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Marikaj, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve të tyre, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 1 kg e 100 gr.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. B. Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

moncler ledjo gashi ergi saliu brajan lala erges nexhipi mario dema

Sondazh

Poll