Aktualitet

Rrahjet brutale dhe dhuna mes nxënësve, sociologët: Alarm për shoqërinë! Fenomeni i bullizmit është i përhapur gjerësisht

Sipas Binjakut, adoleshentët po jetojnë në një kohë ku vëmendjen më të madhe e kanë të fokusuar tek teknologjia dhe pjesën më të madhe e kalojnë në rrjetet sociale.

25 Shkurt 2023, 20:56 Nga F.M
Rrahjet brutale dhe dhuna mes nxënësve, sociologët: Alarm
Rrahja mes vajzave

TIRANË- Rrahjet dhe dhunën mes adoleshentëve, sociologët i shohin si një alarm për shoqërinë, për të treguar më tepër vëmendje ndaj edukimit të fëmijëve. Sociologia Entela Binjaku thotë se videoja në fjalë ishte e frikshme edhe për ta parë, duke marrë parasysh gjestet dhe fjalët që përdoreshin. Sipas Binjakut, adoleshentët po jetojnë në një kohë ku vëmendjen më të madhe e kanë të fokusuar tek teknologjia dhe pjesën më të madhe e kalojnë në rrjetet sociale.

Por edhe fenomeni i bullizmit që është përhapur gjerësisht vitet e fundit, i bën ata që t’u përshtaten situatave për t’u ndjerë të pranuar nga grupet shoqërore.

“Video ishte e frikshme ta shikoje dhe shumë shqetësuese. E frikshme sepse nuk e prisje gjithë atë dhunë dhe atë vrull agresiviteti mes fëmijësh dhe shqetësuese sepse ndoshta përpara syve tanë dhe nëse nuk do të ishte filmuar nuk do të ishte kthyer në epiqendër të shqetësimit mbarëshoqëror. Shumë familje i kushtojnë fare pak rëndësi edukimit të fëmijës sepse mos të harrojmë, familja është shkolla e parë. Shumë nga familjet shqiptare sot janë në përpjekje të mëdha për mbijetesë dhe duan apo nuk duan janë jashtë shtëpisë për orë të tëra dhe jo të gjithë ia arrijnë që të jenë tërë kohës me sytë nga fëmijët dhe mund të ndodhë që në familje të tilla, vetë fëmija të bëhet pre e dhunës ose dhunues i të tjerëve. Forca e grupit është shumë e madhe në këto grupmosha edhe mjaft adoleshentë nuk dëshirojnë të mbeten pas të tjerëve dhe për të mos u vënë në lojë dhe për t’u dukur po njëlloj interesant me të tjerët përdorin këtë fjalor”, tha Binjaku.

Reagimi vjen pak ditë pas publikimit të një videoje të rëndë që tregonte një grup vajzash të shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në kryeqytet që po konfliktoheshin fizikisht me njëra tjetrin, teksa përdorin edhe fjalë banale.

Ndërkohë që vajzat ziheshin, një tjetër filmonte. Për ngjarjen e ndodhur ka reaguar edhe shkolla “Kongresi i Manastirit” ku sqaron se konfrontimi mes vajzave ka ndodhur më datë 15 shkurt, jo brenda ambienteve të shkollës dhe ka kërkuar nga policia hetimin e ngjarjes. Autoritetet kanë marrë në pyetje adoleshentët, por si të mos mjaftonte kjo pamje, sot në rrjet është publikuar një tjetër video. Këtë herë, dhuna është mes gjimnazistësh.

entela binjaku dhunohen te miturat ne tirane

Sondazh

Poll