Ekonomi

Rritja ekonomike këtë vit, 96% formohet nga konsumi dhe 0.1% nga investimet

Në këtë zgjerim, konsumi do të kontribuojë me 2.5 pikë për qind dhe investimet me 0.8 pikë për qind. Sipas të dhënave konsumi do të kontribuojë në 94% të zgjerimit ekonomik të këtij viti dhe investimet vetëm 4%.

16 Shkurt 2023, 07:10 Nga DOSJA
Rritja ekonomike këtë vit, 96% formohet nga konsumi dhe 0.1% nga
Foto Ilustruese

TIRANË- Megjithëse importi i mallrave tregon për rënie të sasive me rreth 6% në vitin 2022 dhe nga ana tjetër, emigracioni mbetet i mprehtë në grupmoshat e reja, qeveria parashikon se rritja e ekonomike e vendit të bazohet në rritjen e konsumit këtë vit.

Sipas projeksioneve të reja të Ministrisë së Financave, të publikuara në kuadrin të ri makroekonomik 2024 – 2026  rritja ekonomike në vitin 2023 parashikohet të jetë vetëm 2.6%, niveli më i ulët në periudhën 2021-2026.

Në këtë zgjerim, konsumi do të kontribuojë me 2.5 pikë për qind dhe investimet me 0.8 pikë për qind. Sipas të dhënave konsumi do të kontribuojë në 94% të zgjerimit ekonomik të këtij viti dhe investimet vetëm 4%.

Shqipëria është importuese neto e mallrave, çka do të thotë se pjesa më e madhe e nevojave të konsumit vendas mbështeten nga importet. Vitin e kaluar INSTAT raportoi se, importet në sasi kishin pësuar ulje me 6.5% në të gjithë vitin dhe u importuan rreth 5 milionë tonë mallra nga rreth 5,4 milionë tonë të importuara në vitin 2021.

Rënie kishin të gjithë grupet kryesore duke përfshirë edhe ushqimet me rreth 7.3%. Rënia e importeve erdhi si pasojë e dobësive në konsum prej inflacionit të lartë.

Vendi po përballet me një largim masiv të të rinjve, të cilët po sjellin ndër të tjera edhe frenim të konsumit. Distributorët në tregtisë me pakicë, tregtarët e bukës dhe linjat e transportit raportojnë rënie të shitjeve me shkak emigracionin.

Në 9-mujorin 2022 rreth 21 mijë persona kanë kërkuar azil në BE dhe Britaninë e Madhe sipas të dhënave zyrtare, mirëpo largimet nga vendi janë më të mëdha në numër si rrjedhojë e rritjes se flukseve për bashkime familjare për studime dhe viza pune.

Ministria e Financave planifikon se konsumi final në total për periudhën afatmesme parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 2.9% në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.5 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB.

Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mesatarisht në rreth 3.7% në vitet 2024-2026, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 0.8 pikë përqindje në vit.

Ministria e Financave argumenton se, kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të ketë një efekt të moderuar pozitiv. Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së, stimuluar kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi në tregun e punës.

Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, veçanërisht pas rikthimit në nivelet normale të inflacionit i cili pritet të ndodhë gradualisht brenda vitit 2023, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredi-marrje më të lartë.

Nga ana tjetër, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet edhe nga përmirësimi i pritshëm i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ që goditja e ofertës ka shkaktuar në inflacion dhe në normat e interesit.

Ndërsa rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë.

Marrë nga Monitor.al

ministria e ekonomise

Sondazh

Poll