Ekonomi

Caktohet vlera e koeficientit të pagave në Kosovë, 105 euro për këtë vit e 110 për vitin tjetër

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro, është bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën. Ligji i Pagave që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

2 Shkurt 2023, 07:10 Nga DOSJA
Caktohet vlera e koeficientit të pagave në Kosovë, 105 euro
Foto Ilustruese

KOSOVË- Qeveria e Kosovës ka vendosur të caktojë koeficientin e Ligjit të Pagave për punëtorët e sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro, është bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën. Ligji i Pagave që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.

Në Ligjin për Paga janë 136 nivele të koeficienteve, me raport prej 2 në 18. Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1890 euro.

Kryetari e Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Disa prej pagave në sektorin publik:

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese 1837.5

Zëvendësministër 1554 euro

Kryetari i kryeqytetit 1575 euro

Kryetari i komunës me mbi 100 mijë qytetarë 1365 euro

Kryetari i komunave deri 10 mijë qytetarë 1239 euro

Kryetari i Gjykatës Supreme 1785 euro

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës 1732.5 euro

Gjyqtar i Themelores nga 1260 deri në 1396.5 euro

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial 1732.5 euro

Prokuror nga 1344 deri në 1260 euro

Komandanti i FSK-së 1575 euro

Drejtori i policisë 1522.5 euro

Komandanti i brigadës së zjarrfikësve 735 euro

Zjarrfikës praktikant 420 euro

Drejtori i doganës 1522.5 euro

Zyrtar doganor nga 987 në 682.5 euro

Drejtor i Shkollës së Mesme të Lartë 661.5 euro

Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët 651 euro

Mësimdhënësit në shkollë të mesme të lartë 609 euro

Mësimdhënësit në fillore dhe të mesme të ulët 588 euro

Drejtori i SHSKUK-së 1470 euro

Mjek i përgjithshëm 777 euro

Infermierët nga 588 deri në 535.5

Këto janë koeficientet për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.

Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.

Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Marrë nga Monitor.al

pagat ne kosove

Sondazh

Poll