Bota

Kurti flet pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke

Këtë deklarim Kurti e ka bërë të enjten para mediave, teksa foli rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

26 Janar 2023, 11:26 Nga I.A
Kurti flet pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Këtë deklarim Kurti e ka bërë të enjten para mediave, teksa foli rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme. Është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi kreu i ekzekutivit, teksa foli edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

I pyetur se a ka presion të madh nga ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit, Kurti tha se ka insistim që marrëveshja të theksohet më shumë.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013 e pastaj i elaburuar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë. Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, është marrëveshje njëmend e theksuar në kuptimin juridik dhe kushtetues. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpije përpara”.

dialogu kosove-serbi albin kurti miroslav lajçak

Sondazh

Poll