Aktualitet

Grip dhe Covid/ Mjekët flasin për situatën e rënduar në vend: Mos merrni antibiotik dhe mos u bëni presion farmacistëve. Qëndroni në shtëpi e pini lëngje

Sipas mjekëve, nëse temperatura vijon për më shumë ditë dhe kolla kthehet me sekrecione dhe shoqërohet me dhimbje krahasori, atëherë duhet bërë kontroll fillimisht tek mjeku i familjes.

13 Janar 2023, 17:44 Nga F.M
Grip dhe Covid/ Mjekët flasin për situatën e rënduar në
Mjekët

TIRANË- Situata e rënduar me viroza dhe grip është në thuajse të gjitha ambientet spitalore të vendit e jo vetëm por sipas mjekëve, shumë raste mund të menaxhohen në shtëpi, pa shkuar në spitale. Mjekja pediatre Lulieta Serbo, dhe mjeku i spitalit “Shefqet Ndroqi” Arben Tanka, të ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, kanë evidentuar simptomat e këtij virusi dhe se kur udhët të shqetësohemi. Ata thanë se shenjat e para janë temperaturë 3 deri në 4 ditë, kollë dhe dhimbje kyçesh e muskujsh, por të gjitha këto futen në simptoma normale dhe se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Sipas mjekëve, nëse temperatura vijon për më shumë ditë dhe kolla kthehet me sekrecione dhe shoqërohet me dhimbje krahasori, atëherë duhet bërë kontroll fillimisht tek mjeku i familjes.

“Janë shifra të një virozë dhe janë në kushte normale, por ky vit ka të veçantë që vesh se janë disa viruse në qarkullim, janë dhe rinoviruset, pra një kokteil virusesh. Aktualisht në pediatri ne kemi  filluar të ndjejmë komplikacionet e këtyre viruseve. Simptomat e këtij gripi tek fëmijët, gastrointestinale, mund të kenë edhe pak kollë. Komplikacionet respiratorë janë kryesoret, fëmija mezi merr frymë, mund të kenë një kollë lodhëse, që dhe të detyrojë ata të drejtohen tek mjekët. emperatura e lartë mund të jetë e virozës por edhe e komplikacioneve. Nuk duhen përdorur antibiotikë në ditët e para nëse nuk ka komplikacione”, u shpreh Serbo.

“Sanatoriumi këtë periudhë e ka pasur të ngarkuar çdo vit, edhe këtë vit kështu është. Një pjesë e mirë e shtrimeve në spital janë me virus, dhe ka pësuar shtim nga mesi i dhjetorit e deri tani. Jemi me kapacitet mbi numrin mesatar të shtretërve. Simptomat janë temperaturë tre-katër ditë, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, mund të ketë dhe grip, por këto nuk janë për tu alarmuar, por nëse temperatura vazhdon dhe kolla fillo me sekrecione dhe dhimbje gjoksi, fillimisht duhet t’i drejtohemi mjekut të familjes. Shenjat janë të njëjta si tek fëmijët por edhe të pjesa tjetër e popullatës. Presim deri në fund të janarit të arrihet piku,”- tha Tanko.

Ndërsa mjeku Pëllumb Pipero, në një intervistë për Report Tv u shpreh se qytetarët nuk duhet të marrin antibiotik dhe të mos u bëjnë presion farmacistëve. Për ata që përdorin transportin publik, Pipero thotë se mund të përdorin maskat për të ruajtur veten dhe të tjerët që të mos shtohen rastet. Mjeku Pëllumb Pipero sugjeron që të gjithë qytetarët që kanë temperaturë prej gripit, të mos nxitojnë drejt spitaleve. Sipas tij, në 3-4 ditët e para mund ta menaxhojnë situatën në shtëpi duke konsumuar lëngje dhe të përdorin vetëm paracetamol ose ibuprofen.

“Klinikisht në ditët e para, gripi dhe Covidi kanë të njëjtat simptoma. Antibiotikët nuk përdoren për të ulur temperaturën dhe nuk duhen përdoren pavarësisht temperaturës, të paktën 3-4 ditët e para. Nëse vijon apo komplikacione, atëherë shikohet nëse duhen apo jo antibiotikët. Nuk duhen përdorur antibiotikët se nuk mjekohen viruset kështu. Besoj fort që farmacistët janë të ndërgjegjësuar që gripi nuk mjekohet me antibiotik. Dhe qytetarët të mos bëjnë presion ndaj farmacistëve. Nëse temperatura është deri në 38 e gjysmë mund ta menaxhojnë në kushtet e shtëpisë duke përdorur lëngje, uji është ilaçi më i mirë dhe paracetamol ose ibuprofen. Të mos shqetësohen nga temperatura 38 e gjysmë dhe të mos mbipopullojnë spitalet se nuk është e nevojshme të nxitohen. Për ata që përdorin transportin publik, mund të vendosin maska. Në rast se temperaturat ulen dhe dimri vjen, mundësia për të pasur më shumë raste të infektuara është më e madhe”, tha Pipero.

Sondazh

Poll