Ekonomi

Kreditimi i ekonomisë u ngadalësua më tej në muajin nëntor

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar kishte vlerën e 20.2 miliardë lekëve, shifër kjo 23.2% më e ulët krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Pas muajit shtator, kredia e re ka shfaqur një tendencë në rënie, duke reflektuar rritjen e normave të interesit por edhe shtrëngimin e kushteve të financimit nga sektori bankar.

30 Dhjetor 2022, 07:09 Nga A.B

Kreditimi i ekonomisë u ngadalësua më tej në muajin

Kreditimi i ekonomisë u ngadalësua sërish gjatë muajit nëntor, duke dëshmuar se efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar kishte vlerën e 20.2 miliardë lekëve, shifër kjo 23.2% më e ulët krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Pas muajit shtator, kredia e re ka shfaqur një tendencë në rënie, duke reflektuar rritjen e normave të interesit por edhe shtrëngimin e kushteve të financimit nga sektori bankar.

Megjithatë, shifrat progresive të vitit 2022 ngelen ende në vlerat më të larta të regjistruara në të paktën shtatë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e disbursuar për periudhën janar-nëntor arriti vlerën e 247.9 miliardë lekëve, 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja ka ndjekur një ritme të përafërta si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve. Kredia e re për biznesin gjatë 11 muajve të vitit 2022 është rritur 12.8% me bazë vjetore, ndërsa kredia e re në segmentin e individëve është rritur me 11.1%. Por, nga ana tjetër, edhe tendenca rënëse e kredisë së re që ka nisur pas muajit shtator ka prekur paralelisht të dy segmentet. Si kredia e re për bizneset, ashtu edhe ajo për individët, paraqitet në rënie për tre muajt e fundit (krahasuar me periudhën respektive një vit më parë).

Ngadalësimi i kredisë së re është reflektuar edhe në tkurrjen e portofolit total të kredisë, që në fund të nëntorit zbriti në vlerën e 719.9 miliardë lekëve, me një rënie prej 2.4 miliardë lekësh krahasuar me tetorin. Tkurrja e portofolit ka ardhur në segmentin e biznesit, ndërsa portofoli i individëve ka vijuar të shënojë një rritje të lehtë edhe këtë muaj.

Kjo është hera e parë që prej muajit janar të këtij viti që stoku i kredisë për ekonominë pëson rënie. Rënia e muajit nëntor e ka ngadalësuar ndjeshëm rritjen vjetore të portofolit, që zbriti në 9.5%, nga 10.9% që kishte qenë në fund të muajit tetor.

Ecuria e kredisë në muajt e fundit po shfaq sinjale të qarta të funksionimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Rritja e normave të interesit e ka frenuar kërkesën për kredi, ndërsa paralelisht edhe bankat po tregojnë një kujdes të shtuar, siç kanë dëshmuar vrojtimet e aktivitetit kreditues. Inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit e kanë ulur aftësinë paguese të huamarrësve, ndaj në këto kushte bankat po ngadalësojë ritmet e huadhënies, për të kufizuar efektet e mundshme negativë në cilësinë e portofolit të kredisë. Sipas bankierëve, një rritje e raportit të kredive me probleme është gjithsesi e pritshme gjatë vitit 2023, por shpresohet se kjo rritje do të jetë e kufizuar.

Qëllimi i rritjes së normave të interesit është pikërisht nxitja e kursimeve, ngadalësimi i huadhënies dhe frenimi i kërkesës së brendshme, me qëllim uljen e presioneve për rritjen e çmimeve. Këto sinjale po përcillen në një kohë relativisht të shkurtër në tregun financiar, edhe për shkak të ritmeve të shpejta të normalizimit monetar që Banka e Shqipërisë ka ndjekur në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Kjo solli një rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar dhe një përcjellje të këtij efekti edhe në kreditë me interesa të ndryshueshme të sektorit privat. Kjo rritje e shpejtë e interesave ka diktuar një kujdes të shtuar, si nga ana e kërkesës, ashtu edhe nga ana e ofertës për kredi në tregun financiar./MONITOR

banka

Sondazh

Poll