Ekonomi

Identifikimi në distancë, institucionet financiare kërkojnë që ligji të njohë operatorët e licencuar në vendet e BE-së

Ndërsa Kryeministri akuzoi sektorin bankar për prapambetje në drejtim të dixhitalizimit, në fakt radhët e krijuara në degët e bankave lidhen me një kulturë ende të pamjaftueshme të përdorimit të kanaleve alternative nga publiku shqiptar, por në një masë të madhe edhe me pamundësinë ligjore për të ofruar disa shërbime të caktuara pa praninë fizike të klientit.

23 Dhjetor 2022, 07:26 Nga DOSJA
Identifikimi në distancë, institucionet financiare kërkojnë
Foto Ilustruese

TIRANË- Klientët e sektorit bankar që kanë nevojë të marrin shërbime në degë përballen shpeshherë me radhë të gjata pranë tyre, fenomen që është bërë më i theksuar sidomos në periudhën pas pandemisë. Kjo temë u bë objekt edhe i një polemike mes Kryeministrit dhe sektorit bankar gjatë këtij viti.

Ndërsa Kryeministri akuzoi sektorin bankar për prapambetje në drejtim të dixhitalizimit, në fakt radhët e krijuara në degët e bankave lidhen me një kulturë ende të pamjaftueshme të përdorimit të kanaleve alternative nga publiku shqiptar, por në një masë të madhe edhe me pamundësinë ligjore për të ofruar disa shërbime të caktuara pa praninë fizike të klientit.

Thelbi i problemit është se në Shqipëri nuk ka ende një kuadër plotësisht funksional ligjor për identifikimin në distancë dhe nënshkrimin në distancë të individëve. Këto pengesa po tentohen të tejkalohen nëpërmjet disa ndryshimeve në ligjin “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave”, që kërkon detyrimisht praninë fizike të klientit për hapjen e një llogarie bankare dhe sidomos nëpërmjet hartimit të një projektligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”.

Megjithatë, disa prej institucioneve financiare në Shqipëri (ku përfshihen banka, institucione financiare të mikrokredisë dhe institucione të parasë elektronike) tashmë e aplikojnë identifikimin dhe nënshkrimin në distancë, nëpërmjet ofruesve të besuar të këtij shërbimi nga vendet e Bashkimit Europian.

Këta operatorë ofrojnë për bizneset shërbimet e identifikimit dhe nënshkrimit në distancë, pa pasur nevojë që klienti i institucionit financiar të paraqitet fizikisht në degë. Procesi kryhet duke ngarkuar dokumentin e identitetit në aplikacionet e ofruesve të shërbimit.

Më tej, aplikacionet skanojnë të dhënat biometrike të klientit (fytyrën) dhe verifikojnë nëse ato përputhen me dokumentin e identititetit. Kur identiteti konfirmohet, klienti merr një kod autorizimi, që ka edhe funksionin e nënshkrimit elektronik të kontratës me institucionin financiar.

Në fakt, institucionet financiare po e ndjekin një praktikë të tillë duke marrë përsipër një risk ligjor, sepse kjo formë e vërtetimit të identititetit ende nuk njihet nga legjislacioni shqiptar.

Kjo do të shtronte probleme në rast të hapjes së një çështjeje gjyqësore me klientin, për sa kohë që institucioni financiar nuk disponon një kontratë të nënshkruar me praninë fizike të klientit dhe një firmë të njohur ligjërisht. Megjithatë, disa institucione e kanë përsipër një rrezik të tillë, në pritje të plotësimit të kuadrit ligjor për identifikimin në distancë.

Ligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” pritet t’i plotësojë boshllëqet në këtë drejtim, por varianti i hedhur për konsultim nga qeveria shqiptare ka krijuar disa paqartësi për institucionet financiare që kanë filluar tashmë ta përdorin këtë praktikë identifikimi.

Neni 15 i projektligjit shprehet se “Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike krijon, mirëmban dhe publikon listën e besuar, që përfshin informacion

në lidhje me Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimeve të Besuara, si dhe informacion mbi shërbimet e besuara të kualifikuara të ofruara prej tyre, qe ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e

Shqipërisë.” Përcaktimi i këtij neni nënkupton se operatorët e ofrimit të këtij shërbimi nga vendet e BE-së nuk do të njihen, nëse nuk regjistrohen si shoqëri tregtare në Shqipëri dhe nuk akreditohen nga AKCESK.

Institucionet financiare sugjerojnë që në nenin 15 të shtohet një pikë tjetër, që të përcaktojë se “Për Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, të cilët operojnë në vende anëtare të Bashkimit Europian dhe janë të akredituar nga autoriteti mbikqyrës përkatës, identifikimet dhe shërbimet e besuara të lëshuara prej tyre do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese, si ato të lëshuara nga një Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar, që operon në Republikën e Shqipërisë.”

Sipas institucioneve financiare, Shqipëria është një treg i vogël dhe operatorët e rëndësishëm nga vendet e BE-së nuk do të kishin interes të kryenin një proces të posaçëm regjistrimi tatimor dhe akreditimi ligjor në vendin tonë. Kjo mund t’iu hapë rrugën krijimit të monopoleve lokale për ofrimin e shërbimit të identifikimit në distancë. 

Marrë nga Monitor.al

banka e shqiperise

Sondazh

Poll