Aktualitet

Tentoi të korruptojë policinë kufitare me 20 euro, procedohet penalisht 46-vjeçari në Kapshticë

Dy persona janë proceduar penalisht në Kapshticë, pasi një prej tyre ka tentuar që të korruptojë policinë kufitare me 20 euro.

22 Dhjetor 2022, 08:23 Nga I.A
Tentoi të korruptojë policinë kufitare me 20 euro, procedohet
Foto nga ngjarja

KAPSHTICË- Një rast tentative për të korruptuar punonjësin e poilcisë Kufitare në Kapshticë është ndaluar. Dy persona janë proceduar penalisht në Kapshticë, pasi një prej tyre ka tentuar që të korruptojë policinë kufitare me 20 euro. Ndërkohë që personi i dytë është proceduar penalisht , pasi dyshohet se ka falsifikuar vulat në pasaportën e tij.

Njoftimi i Policisë:

Kapshticë/Vijojnë kontrollet nga Policia Kufitare, për goditjen e paligjshmërisë. Goditet 1 rast i tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë Kufitare, për të kaluar kufirin në mënyrë të parregullt. Goditet dhe 1 rast i tentativës për të kaluar kufirin me dokument identifikimi me vula të falsifikuara. Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas. Punonjësit e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kryerjes së proceduarave të regjistrimit të shtetasve që kalojnë kufirin, kanë goditur dy raste të tentativës për të kaluar kufirin në mënyrë të parregullt, konkretisht:

Shtetasi I. C., 46 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në momentin kur punonjësi i Policisë i ka kërkuar pasaportën, ai ia ka dhënë atë, me një kartëmonedhë të prerjes 20 euro në brendësi të saj, me qëllim shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit, për shkak se kishte kaluar afatin e qëndrimit të ligjshëm jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasit L. F., 35 vjeç, banues në fshatin Novoselë, Maliq, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në pasaportën e tij, 5 vula të dyshuara të falsifikuara. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. C., për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe për shtetasin L. F., për "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve". Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

policia e korces

Sondazh

Poll