Aktualitet

Investigimi/ Drejtoresha e Ilyrian Guard përdor makinën e shtetit për të shëtitur familjarët

Shoqëria aksionere “Illyrian Guard” është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, më datë 4 Prill 2019, si shoqëri me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë.

18 Dhjetor 2022, 21:19 Nga I.A
Investigimi/ Drejtoresha e Ilyrian Guard përdor makinën e shtetit
Edona Daçi

TIRANË- Makinat e shtetit si taksi familjare për drejtoreshën e Ilyrian Guard. Drejtoresha që futet familjarisht në makinë është Edona Daçi, drejtoresha e shërbimeve mbështetëse pranë Ilyrian Guard, një kompani e gjitha në varësi të Ministrisë së Brendshme. Ta lëmë pak drejtoreshën për momentin për të kuptuar se çfarë është “Ilyrian Guard”…

Shoqëria aksionere “Illyrian Guard” është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, më datë 4 Prill 2019, si shoqëri me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë. Shoqëria “Illyrian Guard” ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Por kush është qëllimi i tyre kryesor? Le ta shohim paksa në websitin zyrtar të Ilyrian Guard…

“Qëllimi ynë është të implementojmë sistemet më të avancuara ndërkombëtare në funksion të ruajtjes dhe të krijojmë partneritet me kompanitë lider në botë”, shkruhet në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Duket se një udhëzim i tillë është keqkuptuar nga punonjësit e institucionit. Mos vallë duan të krijojnë partneritete me kompanitë lider të taksive në botë?!

Drejtoresha Edona Daçi është në pararojë të kësaj situate. Zonja në fjalë shfrytëzon makinat e kompanisë shtetërore për qëllime krejtësisht personale e banale. Ajo ndjek çdo ditë të njëjtën rutinë duke kthyer punonjësit e Ilyrian Guard në shoferë personalë.

Makina shtetërore me targa AA280AP është zgjedhur nga Daçi për përdorim të përditshëm… Mjeti del nga parkimi i shoqërisë aksionere Ilyrian Guard rreth orës 7:20 të mëngjesit. Automjeti më pas merr drejtimin drejt ish fabrikës së qelqit duke kaluar në rrugën Kristo Luarasi, Tiranë-Elbasan, mbikalimi tek fabrika e miellit, rruga Teodor Keko, rruga Besim Alla, Thoma Koxhaj dhe mbërrin poshtë banesës në rrugën Altrin Basha.

Qëndrimi poshtë banesës është rreth 30 minuta, deri në momentin që zbresin motra dhe mbesa e drejtoreshës Daçi…

Drejtoresha pret motrën dhe mbesën në lokalin e sheshit të pallatit. Futen në makinë dhe rinisin sërish intinerarin për të çuar drejt vendit të punës motrën dhe në destinacionin e kërkuar, mbesën e Daçit.

Makina ndryshon herë pas here drejtim në varësi të trafikut, por zakonisht ndjek një intinerar të njohur dhe nga shoferi.
Automjeti me targën AA280AP ecën në unazë dhe ndalesën e parë e bën te Piramida, pranë ETC-së. Aty ndalet e para mbesa e drejtoreshës Daçi.

Automjeti i kthyer në taksi i Ilyrian Guard vazhdon rrugën në bulevardin Bajram Curri për tu kthyer drejt shkollës së baletit. Aty bëhet ndalesa e radhës në të cilën zbret motra e drejtoreshës.

Misioni ditor u krye me sukses, makina tani shkon drejt institucionit të Ilyrian Guard.

“Drejtoresha përdor 3 automjete për arsye personale. Janë vënë në shërbim të drejtoreshës Daçi. Zonja lëviz me makinat me targa AB280AP, AB254AP dhe AB774AO. Shoferi mban automjetin me targë AB774AO që përdoret për rrugë jashtë Tirane pa GPS. Udhëtimet jashtë Tirane bëhen me makinat e shtetit, pazaret me automjetet e Ilyrian Guard, punët e familjes sigurisht që po”, na thotë denoncuesi ynë anonim.

Arrijmë të ndalojmë drejtoreshën dhe e ballafaqojmë me faktet, por përballemi vetëm me heshtjen e saj.

Marrë nga Piranjat.al

edona daçi

Sondazh

Poll