Aktualitet

Shpresa Beçaj përgjithmonë jashtë drejtësisë, Vettingu “djeg” ish-gjyqtaren e lartë

Vendimi për rrëzimin e ankimit të Beçajt ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz

1 Dhjetor 2022, 22:29 Nga F.M
Shpresa Beçaj përgjithmonë jashtë drejtësisë,
Shpresa Beçaj

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka lwnw në fuqi shkarkimin nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Vendimi për rrëzimin e ankimit të Beçajt ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 55/2020, datë 07.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shpresa Beçaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 270, datë 03.07.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1.    Lënien në fuqi të vendimit nr. 270, datë 03.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpresa Beçaj.

2.    Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 01.12.2022

Beçaj u shkarkua nga Komisioni më 3 korrik të vitit 2020. Vendimi u mor pasi u vlerësua se ajo kishte pasur detyrimin për të dorëzuar deklaratat për pasurisë, figurën dhe profesionalizimit brenda afatit të përcaktuar në ligj, gjë që nuk ndodhi.  Në seancën dëgjimore, KPK tha se ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk ka dorëzuar deklaratën e pasurisë pranë ILDKPI-së si dhe nuk ka depozituar as deklaratën e pastërtisë së figurës. Mosparaqitja e deklaratave, tha KPK, shkakton humbjen e cilësisë së subjektit të rivlerësimit dhe sjell pamundësinë e këtij institucioni për të vijuar hetimet në kuadër të vetingut.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës. Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Beçaj ka pasur në dorë dosjen e hetimit të nisur ndaj çështjes së krydemokratit Lulzim Basha, ish-sekretarit të përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit të partisë Ilir Dervishi në lidhje me lobingun rus. 

shpresa becaj

Sondazh

Poll