Ekonomi

Bashkimi i Ujësjellësve, ERRU: Keni tre muaj kohë për licencën e re, si veprohet me tarifat

Procedura për miratimin e këtyre tarifave do të jetë ajo standarde që ndiqet nga Enti sipas kuadrit rregullator në fuqi për shoqëritë e ujësjellës-kanlizimeve.

13 Tetor 2022, 07:22 Nga DOSJA
Bashkimi i Ujësjellësve, ERRU: Keni tre muaj kohë për
Foto Ilustruese

TIRANË- Enti Rregullator i Ujit (ERRU) bëri të ditur se shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve në rajone të caktuara që vendosin të bashkohen në një të vetme duhet të aplikojnë brenda tre muajsh pas riorganizimit për një licencë të re. Një vendim i dy javëve më parë i Entit sqaron se krijimi i Subjekteve me Kompetenca të Përbashkëta (SPK) parashtron detyrime të reja për ta si në planin e licencimit edhe në atë të tarifave.

“Shoqëritë SKP-UK do të përdorin tarifat aktuale për zonat e shërbimit të miratuara nga ERRU, deri në miratimin e tyre, nga Komisioni Kombëtar Rregullator. SKP mbas marrjes së licencës nga ERRU, paraqet aplikimin për rishikimin dhe miratimin e tarifave, që do të kryhet bazuar në të dhënat e një viti ushtrimor të aktivitetit të shoqërisë” nënvizon ERRU.

Procedura për miratimin e këtyre tarifave do të jetë ajo standarde që ndiqet nga Enti sipas kuadrit rregullator në fuqi për shoqëritë e ujësjellës-kanlizimeve. Vendimi i Entit parashikon që shoqëritë SKP-UK të krijuara sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.302, datë 11.05.2022 ”Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, Kreu II, pika 3, kanë detyrimin për të shlyer pagesat rregullatore vjetore sipas kontratave respektive të secilës shoqëri UK deri në aplikimin dhe miratimin e tarifave të reja.

“Bazuar ne ligjin 8102, datë 28.03.1996, për “Kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, i ndryshuar, neni 10, pika 1,gërma a, pas miratimit të tarifave të reja, ERRU do të lidhë kontratë me SKP-UK për detyrimet e pagesës rregullatore ndaj ERRU-së” thuhet në vendim.

Bashkimi i Ujësjellësve

Një vendim i Këshillit të Ministrave i majit të këtij viti parashikonte mënyrën sesi do riorganizohet sektori i furnizimit me ujë për ta bërë atë më fizibël në planin ekonomik. Duhet të kemi parasysh që nje pjesë e mirë e ujësjellësve janë me humbje të theksuar dhe me kufizime në të ardhura.

Pas vendimit të Këshillit në fund të qershorit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfundoi krijimin e tre Shoqërive të para Rajonale Ujësjellës Kanalizime. Ato ishin: Shoqëria Rajonale UK Durrës, e cila do t’i shërbejë bashkive Durrës, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Shijak; Shoqëria Rajonale UK Korçë, e cila do t’i shërbejë bashkive Korçë, Devoll, Maliq, Kolonjë dhe Pustec; Shoqëria Rajonale UK Pogradec, e cila do t’i shërbejë bashkive Pogradec dhe Përrenjas.

Marrë nga Monitor.al

enti rregullator i ujit

Sondazh

Poll