Ekonomi

Licencimi i SHKK-ve, Banka do kërkojë dokumentacion për të provuar se anëtarët s'kanë probleme me ligjin

Sipas ndryshimeve të propozuara në rregullore, pjesë e dokumentacionit që do t’u kërkohet subjekteve që aplikojnë për licencë do të jenë vërtetimet për secilin anëtar themelues të SHKK-së se personi nuk është në ndjekje penale, nuk është në gjykim për vepra penale, nuk është i dënuar penalisht.

21 Shtator 2022, 07:10 Nga A.B
Licencimi i SHKK-ve, Banka do kërkojë dokumentacion për të
Banka

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të Unioneve të tyre”, që synojnë të rrisin kontrollin për të shmangur pjesëmarrjen në këto institucioneve financiare të subjekteve dhe individëve me aktivitete të jashtëligjshme dhe fonde që burojnë prej tyre.

Sipas ndryshimeve të propozuara në rregullore, pjesë e dokumentacionit që do t’u kërkohet subjekteve që aplikojnë për licencë do të jenë vërtetimet për secilin anëtar themelues të SHKK-së se personi nuk është në ndjekje penale, nuk është në gjykim për vepra penale, nuk është i dënuar penalisht (nga Ministria e Drejtësisë) dhe personi nuk është objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm (nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor). Dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së aplikimit në Bankën e Shqipërisë.

Shoqëritë e kursim-kreditit apo kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shëbrime të tjera pagesash. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Kjo vlen sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në mesin e këtij viti arriti vlerën e 13.9 miliardë lekëve ose pothuajse 119 milionë eurove. Kredidhënia për anëtarët përbën edhe zërin kryesor në bilancin e këtyre kompanive, me rreth 72% të totalit të aktiveve. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të kishte vlerën e mbi 10 miliardë lekëve në fund të qershorit.

Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në mesin e këtij viti, depozitat përbënin mbi 71% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 9.9 miliardë lekëve.

Aktualisht në Shqipëri veprojnë 16 SHKK të licencuara, si edhe një Union i tyre. Pjesa më e madhe e SHKK-ve janë të përqendruara kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë së Mesme, më së shumti në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit. Por, këtë vit banka qendrore ka nisur procedurat për heqjen e licencës dhe likujdimin e subjekteve që ende nuk janë anëtarësuar në skemën e detyrueshme ligjore të sigurimit të depozitave. Sipas Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, vetëm 9 prej tyre janë të anëtarësuara në skemë, çka nënkupton se shtatë SHKK-të e tjera do të jenë subjekt i masave për heqjen e licencës nga Banka e Shqipërisë./MONITOR

banka e shqiperise

Sondazh

Poll