Bota

Plani për vrasjen e tij, qeveria e Kosovës e konfirmon! Ja si qëndron e vërteta

Zyra e kryeministrit Kurti konfirmon për Gazetën Express se për atentatin e planifikuar ndaj tij, kryeministri Kurti ishte informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

19 Shtator 2022, 15:02 Nga e.k
Plani për vrasjen e tij, qeveria e Kosovës e konfirmon! Ja si
Albin Kurti

KOSOVË- Zyra për Informim e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar raportimin e sotëm se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e Kurtit. Zyra e kryeministrit Kurti konfirmon për Gazetën Express se për atentatin e planifikuar ndaj tij, kryeministri Kurti ishte informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Më tej, në përgjigjen e ZKM-së për Gazetën Express thuhet se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së, transmeton Gazeta Express.

Sipas ZKM-së, “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument i bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano. Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Shënim: Kur AKEP të bllokojë këtë link në mënyrë që të dhënat të mos shpërndahen në të gjithë botën, Dosja.al do të ndërpresë publikimin e çdo materiali të ‘rrjedhur’ nga databaza e sulmuar nga hakerat iranianë

albin kurti dosjet sekrete te policise

Sondazh

Poll