Ekonomi

Infrastruktura strategji të re për sigurinë rrugore, bie numri i të vrarëve në aksidente

Strategjia për dekadën e ardhshme do të fokusohet në ide të reja për të shpëtuar jetët në rrugët e Shqipërisë. Gjithashtu në këtë dokument do të vijojë të mbështetet dhe vizioni i BE-së për zbatimin dhe monitorimin e detyrave të lëna.

15 Shtator 2022, 07:08 Nga A.B
Infrastruktura strategji të re për sigurinë rrugore, bie numri i
Rruge

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të nisë së shpejti hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore për periudhën 2023-2030.

Strategjia për dekadën e ardhshme do të fokusohet në ide të reja për të shpëtuar jetët në rrugët e Shqipërisë. Gjithashtu në këtë dokument do të vijojë të mbështetet dhe vizioni i BE-së për zbatimin dhe monitorimin e detyrave të lëna.

Mësohet se në fokus të strategjisë së re, ndryshe nga dokumenti i mëparshëm do të jetë ngritja e agjencisë për sigurinë rrugore. Roli i agjencisë së re do të jetë monitorimi dhe zbatimi i detyrave të përcaktuara në strategji. Ende nuk është parashikuar nëse agjencia do të jetë në varësi të qeverisë apo do të administrohet nga privati. Përparësi i dokumentit të ri do të jetë edhe hartimi i rregullave që do të certifikohen nga BE.

Sakaq qëllimi i strategjisë kombëtare për periudhën 2011-2020 ishte përmirësimi i ndjeshëm i sigurisë rrugore deri në vitin 2020, kur rreziku i vdekjeve dhe plagosjeve nga aksidentet rrugore, të jetë përgjysmuar në krahasim me atë të vitit 2009. Në strategjinë aktuale theksohet se aksidentet rrugore i kanë kushtuar vendit rreth 106 milion euro (1% e GDP-së së vitit 2009).

“Këto humbje të njëpasnjëshme mund të kufizojnë aftësinë e Shqipërisë për të arritur rritjen vjetore ekonomike që duhet për arritjen e qëllimeve të Planit Strategjik Kombëtar të Sigurisë Rrugore për Shqipërinë deri në vitin 2020. Nëse nuk merren masat e duhura dhe lejohet vazhdimi i prirjeve të së shkuarës numri i vdekjeve nga aksidentet do të ketë tendencë rritje duke filluar nga viti 2011 dhe do të jetë rreth 600 deri në vitin 2020”, theksohet në dokument.

Sipas të dhënave të INSTAT numri i aksidenteve për vitet 2009-2019 kanë pasur tendencë rritëse. Aksidentet në 2020 në raport me vitin 2009 ishin më rreth16% rënie. Në 2020 tendenca rënëse e aksidenteve është ndikuar edhe nga periudha e mbylljes së ekonomisë dhe popullatës për shkak të pandemisë nga Covid-19. Ndërsa numri i të vrarëve në aksidentet rrugore në 2020 është 52% më pak se 2009. Për një periudhë 10 vjeçare rezulton se numri i të vrarëve në aksidente është ulur 44% për vitin 2021 në raport me 2011.

Ulje numri i aksidenteve dhe të vdekurve ka shënuar edhe për vitin 2022. Sipas të dhënave të INSTAT për muajin korrik 2022 numri i aksidenteve ishte 105. Krahasuar me korrikun e vitit 2021 është ulur rreth 8%. Numri i të vdekurve në aksidentet rrugore për korrik 2022 është 52% më pak se korriku i vitit të kaluar. /MONITOR

infrastruktura rrugore aksidente rrugor

Sondazh

Poll