Bota

Çështjet e detit, Mitsotakis: Do shkojmë Hagë pasi të zgjerojmë kufirin me 12 milje

Ai konfirmoi ndërtimin e rrugës Janenë-Kakavi, ndërkohë që shtoi se mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE mbetet e njejtë.  

11 Shtator 2022, 19:53 Nga I.A
Çështjet e detit, Mitsotakis: Do shkojmë Hagë pasi të
Kyriakos Mitsotakis

GREQI- Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur konferencën tradicionale para mediave greke me rastin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut. Newsbreak shkruan se gjatë fjalës së tij Mitsotakis ka folur edhe për raportet me Shqipërinë dhe me kryeministrin Rama. Ai konfirmoi ndërtimin e rrugës Janenë-Kakavi, ndërkohë që shtoi se mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE mbetet e njejtë.  Po ashtu ai ka theksuar se i ka bërë të qartë Ramës se minoriteti grek në Shqipëri duhet të mbrohet.

“Do të ndërtohet rruga Janenë-Kakavi, jo në masën që disa e kishin imagjinuar. Është në interesin tonë ta lidhim Shqipërinë me BE-në dhe unë rashë dakord. Ekzistojnë çështje dypalëshe. Unë kam një marrëdhënie të mirë me zotin Rama dhe është e dobishme të diskutojmë gjithçka. Minoriteti ynë duhet të mbrohet dhe këtë e kam bërë të qartë. Ka një marrëveshje fillestare për të shkuar në Hagë për ZEE-në. Unë pranoj kritika me qëllime të mira, por jo nga ata që kanë zbritur poshtë bazës për çështjet specifike. Vitin e kaluar nuk dolëm mirë dhe ndryshuam shumë. Përpjekje dhe përpjekje është investuar nga stafi shtet me parandalimin, pastrimin, planifikimin e sezonit të zjarreve. Ka pasur bashkëpunim më të mirë. Vetëm njerëzit me qëllim të keq e kuptojnë se nuk ka përparim. Ministria e Krizave Klimatike do të qëndrojë. Nuk ka vend në botë që nuk përmbytet nëse moti është ekstrem”, sqaroi ai.

Mitsotakis po ashtu ka deklaruar se ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për të shkuar në Hagë lidhur me çështjen e detit, por sipas tij vetëm pasi të kenë zgjeruar kufirin me 12 milje.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje, por më duket se edhe si nevojë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, të mundemi të zgjidhim problemet e pazgjidhura që kemi nga e kaluara. Dhe dua të referohem konkretisht se edhe për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, ka një marrëveshje paraprake që të shkojmë në Hagë, por vetëm pasi ne të kemi zgjeruar kufirin tonë detar me 12 milje. Është diçka e mirë kjo sepse tregon që çështje të tilla, mund të  zgjidhen nga një organ ndërkombëtar perëndimor i drejtësisë, një zhvillim i rëndësishëm, në se do të mund ta arrijmë”, tha Mitsotakis.

kyriakos mitsotakis edi rama

Sondazh

Poll