Ekonomi

Yield-et e Bonove 12-mujore thyejnë rekord të ri, prekin nivelin më të lartë prej fillimit të 2014

Sipas Bankës së Shqipërisë, Bonot 12-mujore u shitën në ankandin e të martës me një yield mesatar të ponderuar prej 3.73%, nga 3.47% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

1 Shtator 2022, 07:05 Nga A.B
Yield-et e Bonove 12-mujore thyejnë rekord të ri, prekin nivelin
Foto ilustruese

Yield-et e Bonove të Thesarit vijuan rritjen edhe në ankandet e kësaj jave, duke shënuar vlera të reja rekord për tetë vitet e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Bonot 12-mujore u shitën në ankandin e të martës me një yield mesatar të ponderuar prej 3.73%, nga 3.47% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Yield-i mesatar i ankandit ishte më i larti i regjistruar për këto instrumente që prej shkurtit të vitit 2014. Ndërkohë, yield-i maksimal i pranuar në ankand madje arriti deri në 4.08%.

Megjithëse shuma e shpallur për financim fillimisht 9.2 miliardë lekë, Ministria e Financave vendosi të pranojë të gjitha kërkesat e paraqitura në ankand, duke e çuar huamarrjen në pothuajse 10.6 miliardë Lekë.

Ky vendim, me sa duket, është marrë për të kompensuar shumat që nuk janë plotësuar në ankandet e mëparshme, ku në shumë raste kërkesa në ankand ka qenë më e ulët se shuma e shpallur për financim. Vendimi për të pranuar më shumë kërkesa nga sa parashikohej mund të ketë ndikuar gjithashtu në rritjen e yield-it mesatar.

Edhe yield-i mesatar i Bonove me maturim 6-mujor shënoi një nivel rekord për shtatë vitet e fundit. Ky tregues arriti në 2.88%, niveli më i lartë që prej vitit 2015.

Edhe në këtë ankand, Ministria e Financave pranoi një shumë më të lartë se ajo që kishte shpallur fillimisht (1.11 miliardë lekë kundrejt 1 miliardë Lekë), ndërsa shuma totale e kërkesave në ankande arriti në 1.41 miliardë lekë.

Ankandet e kësaj jave tregojnë se ndoshta kërkesa e tregut mund të jetë më pranë stabilizimit. Prej muajt mars e në vazhdim, investitorët dhe sidomos bankat kanë ulur pjesëmarrjen në ankandet e insturmenteve të borxhit të qeverisë.

Arseyja kryesore ka qenë pritshmëria për rritje të shpejtë të interesave, siç edhe ka ndodhur. Në një situatë të tillë, shumë investitorë preferojnë ta shtyjnë investimin, në pritje të yield-eve më të larta.

Rritja e shpejtë e yield-eve të Bonove nuk nënkupton rritje të shpenzimeve për interesa vetëm për qeverinë shqiptare, por, tërthorazi, edhe për huamarrësit privatë që kanë kredi në Lekë me interesa të ndryshueshme. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i Bonove 12-mujore, që janë edhe instrumenti benchmark më i përdorur, janë rritur me dy pikë përqindje.

Kjo do të thotë se një huamarrës që ka një kredi të përbërë nga interesi i Bonove dhe që ka një rishikim të normës së interesit këtë vit paguan një interes vjetor 2% më të lartë.

Duke parë sinjalet që ka dhënë Banka e Shqipërisë në muajt e fundit, gjasat janë që rritja e normave të interesit dhe yield-eve të vijojë edhe në pjesën e mbetur të vitit./MONITOR

yeld

Sondazh

Poll