Bota

Venezuelë-Kolumbi: Shkëmbim ambasadorësh pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike

Karakasi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bogotan në shkurt 2019 pasi presidenti i krahut të djathtë Ivan Duque vendosi të mos e njohë rizgjedhjen e Maduros dhe të mbështesë të vetëshpallurin president të përkohshëm, udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido.

12 Gusht 2022, 08:41 Nga k.m.
Venezuelë-Kolumbi: Shkëmbim ambasadorësh pas ndërprerjes
Gustavo Petro dhe Nicolas Maduro

BOGOTA- Venezuela dhe Kolumbia njoftuan të enjten se do të "shkëmbejnë" ambasadorë, më shumë se 3 vjet pasi ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, pasi presidenti i ri kolumbian Gustavo Petros mori pushtetin. Në Karakas, presidenti Nicolas Maduro tha se ish-ministri i Jashtëm Felix Placencia ka kërkuar tashmë akreditim nga qeveria kolumbiane dhe "do të jetë së shpejti në Bogota".

Karakasi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bogotan në shkurt 2019 pasi presidenti i krahut të djathtë Ivan Duque vendosi të mos e njohë rizgjedhjen e Maduros dhe të mbështesë të vetëshpallurin president të përkohshëm, udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido.

Maduro ishte ankuar vazhdimisht se qeveria e Duques po komplotonte për ta rrëzuar nga pushteti.

Përtej shkëmbimit të ambasadorëve, procesi i normalizimit parashikon gjithashtu hapjen e plotë të kufirit prej mbi 2000 kilometrash që ndan dy vendet, i cili ka mbetur plotësisht i mbyllur për automjetet që nga viti 2015 dhe është rihapur për këmbësorët në fund të vitit të kaluar. Karakasi dhe Bogota synojnë gjithashtu të rivendosin marrëdhëniet midis forcave të tyre të armatosura.

"Ne do të vazhdojmë hap pas hapi, me një ritëm të sigurt, të ecim drejt rivendosjes dhe rindërtimit të marrëdhënieve politike, diplomatike dhe tregtare,"- siguroi Maduro duke folur për televizionin publik "VTV".

Petro është presidenti i parë i krahut të majtë në historinë e Kolumbisë – ai u zgjodh më 19 qershor – kishte njoftuar gjatë fushatës zgjedhore se do të rivendoste marrëdhëniet me Venezuelën pas marrjes së detyrës më 7 gusht. Petro dhe Maduro kanë biseduar tashmë me telefon për praninë e rebelëve, paraushtarakëve dhe trafikantëve të drogës në kufirin e dy shteteve, përmes të cilit miliona qytetarë venezuelianë që kanë emigruar për shkak të krizës politike dhe ekonomike, mbetet një çështje delikate.

gustavo petro nicolas maduro venezuela kolumbia

Sondazh

Poll