Bota

Mbrojta e Krasniqit: Një organizatë ndërkombëtare refuzon të japë informacione dhe dokumente materiale

Mbrojtja e Jakup Krasniqit deklaroi se një organizatë ndërkombëtare po refuzon t’i japë informacione dhe dokumente materiale.

29 Korrik 2022, 14:09 Nga s.s
Mbrojta e Krasniqit: Një organizatë ndërkombëtare refuzon
Jakup Krasniqi

KOSOVË- Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka thënë se një organizatë ndërkombëtare po refuzon t’i japë informacione dhe dokumente materiale. Sipas kësaj shkrese, në të cilën emri i organizatës është redaktuar, në bazë të rregullit 208 të Rregullores së Proçedurës dhe Provave pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, mbrojtja e Krasniqit kërkon nga gjyqtari i proçedurës paraprake që të kërkojë ndihmën dhe bashkëpunimin e organizatës së redaktuar. “Kërkesa e tanishme është dorëzuar pas refuzimit nga organizata e redaktuar për t’i dhënë mbrojtjes informacione dhe dokumente materiale për përgatitjen e çështjes së saj. Refuzimi i organizatës së redaktuar për të bashkëpunuar pengon ndjeshëm aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur për gjykim”, deklaron mbrojtja.

Në bazë të Rregullit 82 të Rregullave, kjo dosje klasifikohet si konfidenciale dhe ex parte, pasi përmban informacione që kanë të bëjnë me hetimet e mbrojtjes. “Një version publik i redaktuar i Aplikacionit do të dorëzohet në kohën e duhur”, deklaron mbrojtja. Nga gjykata është kërkuar që t’i kërkojë kësaj organizate që të pajtohet me kërkesën e mbrojtjes për asistencë. Më 29 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin. Për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, Prokuroria si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa krimet kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi to. Po ashtu është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, po ashtu edhe Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Mes muajit mars të vitit 1998 deri në muajin shtator të vitit 1999, të tre politikanët dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Në aktakuzë thuhej:“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera. Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë. Në aktakuzë gjithashtu përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci. Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët.

 

jakup krasniqi rexhep selimi hashim thaci kadri veseli

Sondazh

Poll