Bota

VD-Vendi në prag të luftës, qindra protestues pushtojnë Parlamentin

Asnjë ligjvënës nuk ishte i pranishëm në parlament kur protestuesit depërtuan në Zonën e Gjelbër të sigurisë së lartë të kryeqytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike. Vetëm forcat e sigurisë ishin brenda ndërtesës dhe u duk se i lejuan protestuesit të hynin me lehtësi.

28 Korrik 2022, 00:08 Nga k.m.
VD-Vendi në prag të luftës, qindra protestues pushtojnë
Pamje nga protesta

IRAK- Qindra demonstrues irakianë, shumica prej të cilëve ndjekës të liderit shiit irakian Muqtada al-Sadr, kanë sulmuar ndërtesën e parlamentit në Bagdad për të protestuar kundër nominimit për kryeministër nga partitë e mbështetura nga Irani.

Asnjë ligjvënës nuk ishte i pranishëm në parlament kur protestuesit depërtuan në Zonën e Gjelbër të sigurisë së lartë të kryeqytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike. Vetëm forcat e sigurisë ishin brenda ndërtesës dhe u duk se i lejuan protestuesit të hynin me lehtësi.

Protestuesit kundërshtojnë kandidaturën e Mohammed Shia al-Sudani, një ish-ministër dhe ish-guvernator provincial, i cili është zgjedhja e Kornizës së Koordinimit pro-Iranit për kryeministër.

Kryeministri Mustafa al-Kadhimi u bëri thirrje protestuesve që të "tërhiqen menjëherë" nga Zona e Gjelbër. Ai paralajmëroi në një deklaratë se forcat e sigurisë do të kujdeseshin për "mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe misioneve të huaja dhe parandalimin e çdo dëmtimi ndaj sigurisë dhe rendit".

Blloku i Al-Sadr fitoi 73 vende në zgjedhjet në Irak të tetorit 2021, duke e bërë atë fraksionin më të madh në parlamentin me 329 vende. Por që nga votimi, bisedimet për të formuar një qeveri të re kanë ngecur dhe al-Sadr është larguar nga procesi politik. Ekspertët e sigurisë e kanë cilësuar këtë një situatë shpërthyese për Irakun nëse mbështetësit e Al Sadr nuk tërhiqen nga Parlamenti pasi kjo mund të sjellë ndërhyrjen e grupeve të tjera dhe gjërat mund të shkojnë në një përplasje të armatosur në vendin e shkatërruar nga lufta sektare gjatë dekadës së fundit.

Iraku ka qenë një ndër shtetet ku lufta sektare mes shiitëve dhe sunitëve ka shkaktuar një numër të madh viktimash pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit./aljazeera.com

irak protesta ne irak

Sondazh

Poll