Ekonomi

Banka e Shqipërisë miraton rritjen e pjesëmarrjes së EUROSIG në UBA, me kusht injektimin e 3 milionë Eurove kapital

Sidoqoftë, banka qendrore ka dhënë bekimin e saj për marrjen e kontrollit të bankës nga EUROSIG, me kusht që kompania kryesor të përmbushë një rritje të kapitalit aksioner të bankës.

22 Korrik 2022, 07:09 Nga A.B

Banka e Shqipërisë miraton rritjen e pjesëmarrjes së EUROSIG

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e këtij muaji të japë miratimin paraprak për rritjen e përqindjes së pjesëmarrjes së kompanisë së sigurimeve EUROSIG në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA), nga 21.02% në 51.017% të aksioneve.

Por, miratimi është dhënë me kushtin që EUROSIG të kontribuojë me likuiditet në një rritje kapitali të UBA në shumën e tre milionë Eurove, brenda datës 31 dhjetor 2022.

Në fakt, rritja në fjalë e pjesëmarrjes së EUROSIG në UBA është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit qysh në gusht të vitit të kaluar dhe nuk është e qartë nëse kjo është bërë pa miratimin e Bankës së Shqipërisë.

Sidoqoftë, banka qendrore ka dhënë bekimin e saj për marrjen e kontrollit të bankës nga EUROSIG, me kusht që kompania kryesor të përmbushë një rritje të kapitalit aksioner të bankës.

Mbështetur në raportin financiar të tremujorit të parë të këtij viti, Banka e Bashkuar e Shqipërisë kishte një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 13.54%. Ky nivel është në limitet e kërkuara nga aktet rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Me miratimin e rregullores “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, në vitin 2019, bankat duhet të kenë një raport shtesë të mjaftueshmërisë së kapitalit, mbi nivelin bazë prej 12%.

Deri tani, ka hyrë në fuqi shtesa konservuese e kapitalit, që aktualisht është në nivelin 1.5%, ndërsa do të rritet me 0.5% në vit, deri në vitin 2024. Kjo do të thotë se nga 1 janari 2023 shtesa konservuese e kapitalit do të rritet në 2%, ndërsa raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat jo sistemike rritet në 14%.

UBA ndodhet në limitet e nivelit minimal të kërkuar për t’u përmbushur gjatë 2022 dhe poshtë nivelit që duhet të përmbushë në 1 janar 2023. Treguesit financiarë nuk tregojnë pritshmëri të mëdha që banka t’i përmbushë kërkesat shtesë për kapital nëpërmjet fitimeve të aktivitetit (tremujorin e parë 2022 e mbylli me fitim sipas IFRS, por me humbje sipas standardeve rregullatore të Bankës së Shqipërisë).

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka kërkuar një shtesë kapitali, për të pasur sigurinë e të qenit në përputhje me kërkesat rregullatore të kapitalizimit. Duke qenë se ish-aksioneri kryesor, Banka Islamike për Zhvillim, nuk duket i interesuar të vazhdojë të kontribuojë në UBA, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që aksioneri tjetër, EUROSIG, të marrë përsipër rritjen e nevojshme të kapitalit.

Nëse kontributi shtesë prej tre milionë Eurosh do të njihet nga Banka e Shqipërisë bashkangjitur edhe me blerjen e 30% të aksioneve (që EUROSIG e ka regjistruar tashmë në QKB, qysh vitin e kaluar), kjo nënkupton se pjesëmarrja e saj në kapitalin aksioner të UBA-s do të rritet në afërsisht 70%, duke marrë kështu kontrollin e plotë mbi vendimmarrjen dhe menaxhimin e bankës.

UBA është aktualisht banka më e vogël në sektorin bankar shqiptar. Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të tremujorit të parë të vitit UBA zotëronte rreth 0.7% të tregut bankar në Shqipëri, për një total aktivesh prej rreth 12.8 miliardë Lekësh./MONITOR

banka

Sondazh

Poll