Ekonomi

Projektligji i amnistisë fiskale, Panariti: Kush ka 2 milionë euro të paligjshme, i mbyll në bankë pa sqaruar

Panariti thotë se deklarimi i origjinës së pasurisë është shndërruar në farsë. 

25 Qershor 2022, 13:28 Nga A.B
Projektligji i amnistisë fiskale, Panariti: Kush ka 2 milionë euro
Edmond Panariti

TIRANË- Ish-ministri Edmond Panariti ka bërë një analizë të projektligjit të amnistisë fiskale, i cili lejon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, te cilat me pas tatohen nga 7-10 %. Përmes një postimi në rrjetin social 'Facebook', Panariti thotë se kush ka 2 milionë euro mund ti deklarojë pa treguar origjinën e tyre. Ai thotë se deklarimi i origjinës së pasurisë është shndërruar në farsë. 

POSTIMI:

Çfarë kuptoj deri tani nga projekt ligji i amnistisë fiskale? Kuptoj që po pate 2 milion euro, para të paligjshme, ke rastin për ti bërë të ligjshme duke i deklaruar, pa sqaruar fare origjinën e tyre, përkundrejt taksimit.
Kuptoj, që e zeza, bëhet e bardhë me ligj, po me anë të parave. Kuptoj që e gjithë historia për detyrimin e deklarimit të origjinës së pasurisë, thelbi i së cilës ishte dhe mbetet parandalimi i shpëlarjes dhe ndalimi i zbardhjes së parasë së pistë të drogës, trafiqeve etj, shndërrohet në një farsë. Kuptoj që detyrohet sistemin bankar, të shkelë mbi praktikat dhe procedurat ligjore të kontrollit të origjinës dhe parandalimit të transaksioneve të dyshimta, për të kulluar tashmë me ligj ujërat e zeza të parave të trafiqeve. Pra dhe i ndalon dhe i lejon, njëkohësisht?! Kuptoj se si ndihet qytetari i thjeshtë dhe biznesi i ndershëm, pagues i taksave dhe i tatimeve. Kuptoj që nuk paskemi kuptuar asgjë fare.

edmond panariti

Sondazh

Poll