Ekonomi

Qeveria ‘mendjen’ tek koncesionet, Shqipëria e fundit në Europë për inovacionin

26 Korrik 2019, 08:23 Nga DOSJA
Qeveria ‘mendjen’ tek koncesionet, Shqipëria e fundit në

Risitë dhe novacionet po çojnë përpara botën e zhvilluar dhe atë në zhvillim vitet e fundit. Novacioni rrit produktivitetin, e bën më të lehtë jetën e njerëzve dhe zbatimi i tij gjerësisht në shëndetësi po përmirëson shëndetin e popullatës në vendet e botës.

Sot, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim e promovojnë novacionin, si një mënyrë për të arritur zhvillimin ekonomik dhe social.

Por, Shqipëria, që vitet e fundit e ka përqendruar vëmendjen te koncesionet, duket se është ende larg kësaj përqasjeje globale.

Indeksi Global i Novacionit për vitin 2019 e rendit atë në vendin e 83 në botë nga 129 në total. Në Europë, Shqipëria është e fundit. Vendet e rajonit kanë një pozicionim shumë më të mirë se ne, me Malin e Zi që kryeson në rajon në vend të 45, Serbinë në vendin e 57, Maqedoninë në vend të 59, Bosnjën në vend të 74.

Ku çalon Shqipëria

Lidhur me institucionet, Shqipëria ka regjistruar 66 pikë dhe një renditje në vendin e 56 ku merret parasysh mjedisi politik, efektiviteti i qeverisjes, ambienti rregullator, respektimi i ligjit, lehtësia e nisjes së një biznesi apo lehtësia me të cilën zgjidhen mosmarrëveshjet.

Elementi i dytë i vënë në peshore është kapitali njerëzor dhe kërkimi, ku kemi regjistruar vetëm 22.7 pikë dhe një renditje në vendin e 88. Kjo renditje është rezultat i disa elementeve si shpenzimet për edukim në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vitet e shkollimit, të diplomuarit në shkenca dhe teknologji, studimet në kërkim dhe zhvillim, kompanitë me orientim kërkimin dhe zhvillimin, renditja e universiteteve. Shqipëria shpenzon vetëm 0.2% të PBB-së për kërkim-zhvillim

Elementi i tretë është infrastruktura ku Shqipëria ka regjistruar 46.2 pikë dhe një renditje në vendin e 66. Në këtë pjesë kombinohen elementet që lidhen me aksesin në inovacion dhe teknologji, përdorimi i inovacionit dhe teknologjisë, shërbimet qeveritare online, prodhimi energjetik, performanca logjistike, përdorimi i energjisë për njësi, certifikimet ISO.

I katërti që kalon në sitë për të nxjerrë Indeksin Global të Inovacionit është sofistikimi i tregut ku jemi renditur në vendin e 42 që është edhe elementi me rezultatin më të mirë të Shqipërisë dhe që merr në llogaritje kreditimin, investimet, konkurrencën tregtinë dhe shkallën e tregut.

Elementi i pestë është sofistikimi i biznesit që na rendit në vendin e 105, me përkeqësim në raport me vitin e mëparshëm, ku shihen në detaj punësimi sipas njohurisë së thelluar, kompanitë që ofrojnë trajnime zyrtare, bashkëpunimet industri-universitet, importet neto të teknologjisë së lartë, investimet e huaja direkte, kërkimi për talente si përqindje në një biznes.

Produkte finale në kërkim dhe teknologji është elementi i gjashtë ku Shqipëria ka regjistruar rezultatin më të dobët që ka renditur në vendin e 114 dhe që lidhet me patentat e shpikjeve të regjistruara sipas origjinës, modelet e përdorimit sipas origjinës, pronësia intelektuale, eksportet në inovacion dhe teknologji, investimet shqiptare që shkojnë drejt vendeve të tjera.

E fundit në listën e elementeve është pjesa që lidhet me produktet kreative siç mund të jenë markat, dizajnet industriale, modele biznesi në teknologji dhe inovacion, krijimi i aplikacioneve në celularë, korrigjimet në Ëikipedia. Të gjitha këto na kanë renditur në vendin e 74, me përmirësim, nga pozicioni i 86 që ishim një vit më parë.

Në botë, kryeson Zvicra

Indeksi Global i Inovacionit është një publikim i përvitshëm i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Cornell SC Johnson College of Bussines dhe INSEAD (Shkolla Botërore për Biznesin). Çdo vit, indeksi global i novacionit rendit performancën në këtë drejtim të rreth 130 ekonomive në botë. Këtë vit është i përqendruar në rëndësinë e novacionit për përmirësimin e shëndetit të njerëzve.

Edhe këtë vit, Zvicra është vendi më inovativ në botë, ndjekur nga Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Edicioni i 12-të i GII është një pikë referimi në botë, që ndihmon aktorët politikë të kuptojnë më mirë se si të nxisin dhe të masin aktivitetin inovativ, motori kryesor i zhvillimit ekonomik dhe social.

GII 2019 merr në analizë 129 ekonomi në bazë të 80 treguesve: nga masat tradicionale si investimet në kërkim dhe zhvillim, te kërkesat për patenta dhe marka ndërkombëtare e më tej, treguesit më të fundit si krijimi i aplikacioneve për smartphone-t.

Indeksi analizon edhe kontekstin ekonomik – pavarësisht treguesve për ngadalësim të rritjes ekonomike, inovacioni vijon të lulëzojë, në veçanti në Azi.

20 vendet më inovative në botë:

1. Zvicra

2. Suedia

3. SHBA

4. Holanda

5. Britania e Madhe

6. Finlanda

7. Danimarka

8. Singapori

9. Gjermania

10. Izraeli

11. Koreja e Jugut

12. Irlanda

13. Hong Kongu

14. Kina

15. Japonia

16. Franca

17. Kanadaja

18. Luksemburgu

19. Norvegjia

20. Islanda. Marrë nga Monitor.al

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

ekonomi ekonomi inovacioni global 2019 inovacioni ne shqiperi inovacioni global 2019 inovacioni ne shqiperi

Sondazh

Poll