Insights

“Dhimbje të Ëmbla”, Xhafka rrëfen mbi çiftin më të pëlqyer në Qytetin Studenti

14 Korrik 2019, 12:17 Nga DOSJA
“Dhimbje të Ëmbla”, Xhafka rrëfen mbi çiftin

DHIMBJE TË ËMBLA…
(Tregimi i së dielës.)

Paskali dhe Rozi ishin çifti më i pëlqyer në Universitet. Studionin për inxhinieri, ishin në një kurs. Moshatarë, por Rozi ishte e imët dhe tregonte disa vjet më e vogël se Paskali. Ai ishte i gjatë, elegant, me flokë të zinj e sy jeshilë. Si sytë e Rozit, veç ajo i kishte flokët gështenjë. Nga fundi i vitit të parë u fejuan, pa mbushur ende 20 vjeç. Shkonin bashkë në fakultet, bashkë në mencë, bashkë në bibliotekë e shëtitje. Ndaheshim veç kur binte nata e sejcili rehatohej në konviktin e vet pas një dite të lodhshme por të bukur.
Qyteti Studenti kishte plot çifte të fejuarish, por si ata nuk gjeje të dytë. Se shkonin si portrete, qeshnin gjithmonë e kryesorja i shihje veç duke folur me njeri-tjetrin. Pa rreshtur, pa pushuar kurrë. Komunikimi është dashuri, pasion i shfaqur, etje për partnerin dhe ngazëllim që të merr frymën.
Jeta i çoi në shumë ndërtime kombëtare, në diga e kombinate. Nëpër kantiere ngritën familjen, u bënë me fëmijë dhe kur ndodhi përmbysja e madhe fati ua solli që Rozi kishte gjyshin në Amerikë dhe Paskali me gruan e me tre djemtë u bënë qytetarë amerikanë një ditë para 25 vjetësh. Sot janë në Georgia dhe fëmijët në Karolinën e Jugut, Alabama e Ilinois. Mbetur vetëm, por pa dert se në USA të gjithë duan të rrinë vetëm. I nxisin fëmijët të ikin tek e mira e tyre, kërkojnë t’i çlirojnë nga detyrimet që brezit të ri ia dikton tradita njerëzore.

Një nga këto ditë i takuam rastësisht në Atlanta. Na dolën përballë. Të shkathët, por të mpakur pak, të zbardhur e disi të avashëm, por sërish me ata sy, me atë qeshje dhe me atë komunikim. Nuk u pushonte goja, si zogj që vetëm cicërojnë. I takuam me mall. Sidomos gruaja ime se e ka pasur Rozin në konvikt në kohën e studentllëkut.

Pas një kafe e një intervist për njëri-tjetrin pyeta Paskalin:
– Po si nuk u mërzite duke qënë një jetë non stop 24 orë me Rozin? A ke ndonjë sekret? Se ja ne shkuam e erdhëm dje nga Alabama, 8 orë rrugë e nuk folëm një fjalë të paktën për motin.
Ai qeshi e ndërsa po mendohej të fliste, ndërhyri gruaja ime.
– Dashuria e këtij çifti ishte akt, vepër, jo fjalë. Dhe po e tregoj diçka që mbase as Paskali nuk e ka mësuar.
Ngjarja u bë intriguese. Dinte diçka gruaja për Rozin që Paskali nuk e kishte mësuar?! Çudi.
– E pi cigaren akoma?- e pyeti gruaja ime.
– Po, – i tha Paskali.
– Kur e ndizje atëherë, që ishe student, nuk e ke ditur se ato lekë të përditshëm ishin të ushqimit të Rozit.
– Nuk po kuptoj, – tha ai e ua afrua më pranë tavolinës.
– Rozi çdo darkë shiste kuponin e vaktit të mëngjesit. Ty të thoshte se nuk kishte uri në atë orë. Shkonte pa ngrënë në leksione dhe lekët që merrte blinte cigare për ty, ditë për ditë për …
– Katër vjet rresht, – psherëtiu Paskali dhe u çua, përqafoi Rozin. Gati po qante.
– Unë u çudita në fillim, e pyeta, por ajo më tha se i vëllai i dërgonte ca lekë shtesë mbi bursën që merrte nga shkolla dhe e paskam besuar. O zot, sa kanibal paskam qenë, -thoshte pa shaka e sërish përqafonte gruan.
Ajo si e zënë në një grackë pa dhimbje edhe donte ta dëgjonte këtë dialog, edhe nuk donte të zgjatej.
– Po pse nuk më detyrove ta lija duhanin? Ti e di që nuk ta kam bërë dysh asnjë dëshirë, – e pyeti Paskali.
– Në se do e bëja mes nesh nuk do kishte dashuri, nuk do kishte asgjë të bukur. Sakrifica për atë që do është vërtet dhimbje, por ka boll ëmbëlsi, kënaqësi e ngopje shpirti.
U ndamë. Ata majtas, ne djathtas. Nuk durova dhe e pyeta gruan:
– Moj, më duket se dhe unë kam pirë cigare kur isha student? Të kujtohet?

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

blog blog agim xhafka agim xhafka

Sondazh

Poll

Insights 13 Korrik 2019, 13:59

I ndershëm në Shqipëri

TIRANË- Në brendësi të Institutit Bujqësor, në ish konviktet e rrënuara dhe me kushte aspak njerëzore mes disa familjeve që mbijetojnë, janë strehuar me fë...

Insights 12 Korrik 2019, 12:37

Gjermania e shqetësuar për dridhjet e Merkelit

GJERMANI- Përse më parë askujt nuk i ka rënë ndërmend kjo zgjidhje? Vizita e kryeministres së re daneze të enjten (11.07) në Berlin e shoqëruar me nderime ushta...

Insights 12 Korrik 2019, 08:25

Populli është duke mbajtur shënime

TIRANË- Rama ka një plan të vendosë një taksë të re mbi naftën, që i ka vënë emrin ekzotik “Tarifë”. Dhe këtë do ta bëjë me justifikimin e ndry...

Insights 10 Korrik 2019, 08:51

Monstrat duhen izoluar

Përdhunimet brenda familjes duhen klasifikuar si vepër që dënohet me burgim të përjetshëm. Neni në kodin penal duhet formuluar i tillë, që të mos lejojë asnjë h...