Ekonomi

GRAFIKU/ Yield-et e bonove të thesarit, sërish me rënie të lehtë

4 Shkurt 2022, 06:38 Nga DOSJA

Interesat e yield-eve të bonove të thesarit po rezistojnë në nivele të ulëta. Në ankandin e datës 1 shkurt, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12 mujor shënuan madje një rënie të lehtë në nivelin 1.57%, nga 1.59% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Ministria e Financave emetoi me sukses shumën prej 11.2 miliardë lekësh, ndërsa vlera e kërkesa totale të paraqitura në ankand arriti në 12.5 miliardë lekë.

Një tendencë e ngjashme u regjistrua edhe në bonot me maturim 6-mujor. Yield-mesatar i ponderuar zbriti në 1.21%, nga 1.31% që kishte qenë në ankandin e fundit për instrumentet e këtij maturiteti, që ishte zhvilluar në muajin nëntor. Edhe në këtë ankand distanca mes kërkesës dhe ofertës ishte e konsiderueshme, me rreth 2.5 miliardë lekë kërkesa të paraqitura, kundrejt një shume të shpallur për financim prej 1 miliardë lekësh.

Përkundrejt pritshmërive të ekspertëve për një korrektim të lehtë të yield-eve të bonove të thesarit, ato ende po ruajnë nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar, madje edhe me një rënie të lehtë. Pritshmëritë për rritje lidheshin kryesisht me dy faktorë. Së pari, inflacioni i lartë ka bërë që bankat qendrore të përgatisin tregjet për një rritje të normave të interesit.

Një orientim të tillë e ka dhënë edhe Banka e Shqipërisë. Pas mbledhjeve të fundit të Këshillit Mbikëqyrës, është paralajmëruar një tërheqje graduale e stimulit monetar dhe një rritje e normave të interesit gjatë vitit 2022. Në fakt, një element i reduktimit të stimulit monetar ka nisur të aplikohetr qysh nga fillimi i muajit janar të këtij viti, me ndryshimin e formës së ankandeve për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes, që mundësonte akses të pakufizuar në likuiditet për bankat.

Kjo formë e injektimit të likuiditetit ishte në fuqi që prej shpërthimit të pandemisë, në muajin mars 2020. Në atë rast, Banka e Shqipërisë, përveçse uli normën e interesit të REPO-ve njëvore në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndryshoi edhe formën e marrëveshjeve, nga ankand me shumë të fiksuar në ankand me çmim uniform.

Megjithatë, për momentin ky ndryshim nuk duket se e ka ndikuar shumë gjendjen e likuiditetit në tregun primar të instrumenteve të borxhit qeveritar.

Një faktor tjetër që krijoi pritshmëri për një lëvizje në rritje të yield-eve është rritja e huamarrjes së planifikuar në tregun e brendshëm financiar, që në tremujorin e parë të vitit 2022 pritet të ketë vlerën e 116.7 miliardë lekëve (përfshirë këtu edhe rifinancimet), në rritje me 71% krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe me rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo luhatje do të jetë gjithsesi e përkohshme dhe për vitin kalendarik kërkesa e qeverisë për borxh të ri në tregun financiar nuk do të ndryshojë shumë./MONITOR

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

ekonomi ekonomi bono thesari e bono thesari e

Sondazh

Poll